Promovimi i agjendës homoseksuale

Shkëputje nga “Persecution: How Liberals are Waging War Against Christianity”, kaptina e katërt, Secularism In, pjesa 2, David Limbaugh, f.61-68

Nuk përbën një sekret fakti se aktivistët homoseksualë janë duke promovuar agjendën homoseksuale nëpër shkolla, me qëllim që transformimi i qëndrimit të studentëve karshi kësaj sjelljeje të çojë jo vetëm në pranimin e saj në shoqëri, po ndoshta edhe në shtimin e numrit të homoseksualëve praktikues.

Aktivistët zhvilluan strategji “marketingu” për të arritur këto synime, siç është “konvertimi”. Paul Rondeau, një student i doktoratës pranë Universitetit Regent, shpjegon se një nga metodat e “konvertimit” të fëmijëve në pranimin e stilit homoseksual të jetës është që ta lodhin shoqërinë me breshëri fjalësh të vazhdueshme, “deri në pikën kur thjesht të pranosh homoseksualizmin do të jetë më pak e rëndë sesa të vazhdosh ta kundërshtosh … kush kap fëmijët, posedon të ardhmen”.

Kjo shfaqje e pranisë së propagandës homoseksuale nëpër shkolla mund të jetë rezultat i përpjekjeve të Marshall Kirk dhe Erastes Pill, dy aktivistë homoseksualë, të cilët në vitin 1987 sajuan një spin-fushatë1 të rafinuar me anë të publikimit të punimit të tyre The Overhauling of Straight America. Artikulli së pari u paraqit në vitin 1987 në botimin e nëntorit të revistës The Guide, një revistë për Gay Travel, Entertainment, Politics, and Sex. Aty parashtrohen qartë qëllimet e autorëve: normalizimi sistematik i kulturës homoseksuale dhe demonizimi i kujtdo që pengon këto përpjekje. Hapi i parë – thanë ata – është që ta bëjë të pandjeshëm publikun, në mënyrë që ata “ta shohin me indiferencë homoseksualizmin në vend se të jenë të interesuar të merren me të”.

Autorët i thanë komunitetit homoseksual se, po arritën ta bëjnë publikun “t’i ngritin supet” në shenjë indiference ndaj homoseksualizmit, “beteja juaj për të drejtat ligjore dhe shoqërore pothuaj fitohet”. Për të arritur këtë, autorët propozuan një “fushatë mediatike të përmasave të mëdha” për “të ndryshuar imazhin e homoseksualëve në Amerikë”, e cila përbehet nga gjatë elemente.

  • “Të flitet për homoseksualët dhe homoseksualizmin sa më zhurmshëm dhe sa më shpesh që të ketë mundësi”. Ideja është se ekspozimi i mjaftueshëm do ta bëjë këtë sjellje të duket normale. Autorët sugjeruan metoda për të kapërcyer kritikat e kishave konservatore. Ka vetëm dy mënyra – thanë ata – “për të pështjelluar homofobinë e besimtarëve të vërtetë”. E para është “të përdoren fjalë që turbullojnë ujërat morale. Kjo do të thotë të publikohen përkrahjet që kishat e moderuara u bëjnë homoseksualëve, duke parashtruar edhe vërejtjet tona teologjike lidhur me interpretimet konservatore të mësimeve biblike, dhe duke vënë në pah urrejtjen dhe mospërputhjen”. Ju tingëllon si e njohur kjo? Mënyra e dytë është “dërrmimi i autoritetit moral të kishave homofobe duke i portretizuar ato si antikitete prapanike”.
  • “Paraqitja e homoseksualëve si viktima, jo si sfidues agresivë”. Autorët thonë: “Në çdo fushatë për përvetësimin e publikut, homoseksualët duhet të paraqiten si viktima që kanë nevojë për mbrojtje, në mënyrë që, nëpërmjet kundërveprimit të pavullnetshëm të tyre, heteroseksualët të shtyhen për të marrë pozitën e mbrojtësit”. A po e kuptoni tani paraqitjen e “zonave të sigurta” (për homoseksualët) dhe “shkollat e sigurta”? Një shkollë në Minesota ka pesëdhjetë klasë të emërtuara “zona të sigurta” (të vulosura me trekëndësha bojë peme), që do të thotë se nxënësit të cilët duan të pyesin rreth seksualitetit të tyre, mund të bisedojnë “sigurt” me mësuesit në këto dhoma, pa rrezikun që mësuesit të kritikojnë homoseksualizmin. Pastaj, mësuesit mund t’i referojnë nxënësit për këshillim të jashtëm te një këshilltar pro-homoseksual apo te një grup aktivistësh homoseksualë. Shumicën e rasteve kjo bëhet pa përfshirjen e prindërve, aq më pak me pëlqimin e tyre.
  • “Jepu mbrojtësve një kauzë të drejtë”. Autorët pranojnë se homoseksualët s’do të çelin shumë udhë duke kërkuar me ngulm “ndihmë të drejtpërdrejtë për praktikat homoseksuale”. Në vend të kësaj, ata duhet të marrin si temë të tyren “anti-diskriminimin”. Ideja është që t’i ndërrojnë anët me shoqërinë heteroseksuale, në mënyrë që ata të cilët i kundërshtojnë, të duken si fanatikë të thekur.
  • “Bëji homoseksualët të duken mirë. Për të përmbysur opinionin e keq që këto kohë u prunë meshkujve dhe femrave homoseksuale, fushata duhet t’i portretizojë homoseksualët si shtylla superiore të shoqërisë … Lista e nderit e meshkujve dhe femrave homoseksuale e biseksuale është vërtet e habitshme. Nga Sokrati deri të Shekspiri, nga Aleksandri i Madh deri të Alexander Hamilton …” Tash po e dini arsyen tjetër përse shumë mësime të shkollave publike rreth këtyre personave janë ri-orientuar.
  • “Bëji viktimizuesit të duken keq”. Dëgjoni këtë: “Në fazën e mëvonshme të fushatës mediatike për të drejtat e homoseksualëve, një kohë pasi reklamat e homoseksualëve të jenë bërë të zakonshme, do të vijë koha të sillemi ashpër me pjesën e mbetur të kundërshtarëve. Të jem i drejtpërdrejtë, ata duhet poshtëruar … Objektiva jonë këtu është e dyfishtë. Së pari, në kërkojmë të zëvendësojmë krenarinë moraliste ndaj homofobisë (që mbretëron në publik) me turp dhe fajësi. Së dyti, ne synojmë t’i bëjmë anti- homoseksualët të duken aq të këqij, sa amerikanët e rëndomtë të mos duan të identifikohen me tipat e tillë”. Tash, shikoni këshillën se si të zbatohet kjo strategji. “Publikut duhet t’u shfaqen imazhe të homofobëve të zhurmshëm, tiparet dhe besimet dytësore e të cilëve neveritin klasën e mesme konservatore amerikane. Këto imazhe mund të përfshijnë: Ku Klux Klan2 duke kërkuar që homoseksualët të digjen për së gjalli apo të tridhen; ministra fanatikë nga Jugu duke folur me urrejtje histerike deri në shkallën sa të duken edhe qesharakë, edhe të marrë; rrugaçët dhe të dënuarit e rrezikshëm duke folur pa ndjenja për ‘pederat’ që i kanë vrarë apo do të donin t’i vritnin; një xhiro nëpër kampet naziste të përqendrimit, ku homoseksualët u torturuan dhe u mbytën me gaz”.
  • “Kërko fonde: Paraja Ndalon Këtu”, gjë që sugjeron mbledhje fondesh. Nëse këta autorë do të vlerësoheshin për suksesin e fushatës së tyre, do të meritonin nota tepër të larta. Së voni, legjislacioni i Kalifornisë e futi në fuqi Aktin e Sigurisë për Studentë dhe për Parandalim të Dhunës, i cili kërkon të modifikohet programi mësimor shtetëror, që t’u mundësojë nxënësve t’i pranojnë homoseksualët, lesbiket, transgjinorët, dhe figura e ngjarje historike biseksuale. Prapë këtu kemi të bëjmë me pretendimin për parandalim të dhunës, por qëllimi i vërtetë është indoktrinimi i pashmangshëm. Shtetet e tjera, si Florida dhe Nju Jorku, janë duke konsideruar ligj të ngjashëm, të quajtur “Akti: Dinjitet për të Gjithë Nxënësit”.

Vërtet, aktivistët homoseksualë kanë bërë hapa të mëdhenj në shkollat publike3. Një nga mënyrat me të cilën ata shtyjnë agjendën e tyre në shkolla është nëpërmjet politikave të ashtuquajtura anti- abuzim apo anti-shqetësim, të shqyrtuara më poshtë. Nëpërmjet këtij mjeti si dhe të tjerëve, ata synojnë jo vetëm dhënien fund të keqtrajtimit ndaj homoseksualëve apo parandalimit të shqetësimit të tyre, por detyrimin e shoqërisë heteroseksuale që të pranojë sjelljen e tyre si normale dhe si një tjetër stil jetësor barazisht të vlefshëm. Disa shtete po e përkrahin edhe zyrtarisht këtë agjendë. Në West Virginia, zyra e prokurorit të përgjithshëm organizoi Projektin e Ekipit për të Drejta Civile me qëllim që t’i thyejë abuzuesit në shkolla, por disa besojnë se kjo s’është gjë tjetër veçse një program i mbuluar për avancimin e kauzës homoseksuale. Kevin McCoy, president i West Virginia Family Fondation, bën me gisht drejt manualit trajnues të Projektit të Ekipit për të Drejta Civile si provë për këtë. Sipas McCoy, manuali u rekomandon mësuesve të bartin një distinktiv “LesBiGay pozitiv” apo një këmishë me sloganin “Drejt, por jo Ngushtë”, apo dhe një trekëndësh bojë peme; t’u thonë nxënësve të mos i mendojnë të gjithë shokët/shoqet e klasës të jenë heteroseksualë, po të pranojnë që disa nxënës janë homoseksualë dhe biseksualë; t’u shmangen përdorimit të termave tradicionalë, si: i dashur, e dashur, bashkëshorte apo bashkëshort, dhe ta zgjerojnë gjuhën duke përfshirë termat: partner, dashnor, i rëndësishmi tjetër4 . Mësuesit, po ashtu, këshillohen që të përdorin frazën “marrëdhënie permanente” në vend të “martesë”; t’i identifikojnë kontribuuesit homoseksualë në histori, në literaturë, në art, në shkencë, në fe, dhe t’i pasurojnë libraritë me libra që trajtojnë diversitetin (llojllojshmërinë) seksuale. Përkrahësit e këtij programi mohojnë që kjo synon t’i japë shtysë agjendës homoseksuale, duke shpresuar që gjuha mbuluese e “të drejtave civile” t’u mundësojë kalimin pa një shqyrtim të hollësishëm, dhe duke i kategorizuar kritikuesit si kundërshtarë të të drejtave civile.

Në 1 janar 2001, Kalifornia vuri në fuqi dy ligje, AB1785 dhe AB 1931, për të cilët kundërshtarët thonë se do t’i ekspozojë nxënësit ndaj “informatave dhe aktiviteteve të përpiluara për të ndikuar në pikëpamjet e tyre rreth seksualizmit njerëzor dhe identitetit gjinor, përfshirë sferat e homoseksualizmit, biseksualizimit, transvestizmit, transseksualizmit, dhe alternativa tjera të stileve të jetës”. AB 1785 inkurajon përvetësimin e programeve mësimore për të promovuar edukim “tolerant” në shkollat publike, në çdo nivel klasor, duke nisur nga çerdhja. Gary Kreep i United States Justice Foundation i përshkroi këto masa si “një thikë e drejtuar kah çiltërsia e fëmijëve tanë”, e cila do t’i “izolonte dhe shënjonte ata që nuk pajtohen me stilin homoseksual të jetës”. AB 1931 ofron donacione nga paratë e taksapaguesve për t’i çuar fëmijët në ekskursione, ku mund të mësojnë për “diversitetin” dhe “tolerancën”. Dhe në këtë “diversitet” përfshihet kategoria e “orientimit seksual”. Përfundimisht, objektiva e ligjit qartazi ka të bëjë me vlerat: të rrënjosë te fëmijët nocionin se sjellja homoseksuale është normale dhe e pranueshme moralisht. Në përgjigje ndaj kësaj, grupet profamilje zhvilluan forma që u mundësojnë prindërve t’i largojnë fëmijët e tyre nga kurset e papërshtatshme. Ligji i Kalifornisë tashmë lejon përdorimin e këtyre formave për orët e edukimit seksual, por kjo formë është më e gjerë dhe përfshin të gjitha kurset të cilat prindërit mund t’i shohin si të papërshtatshme.

Megjithatë, me këto ligje dhe legjislacionin pasues të Kalifornisë si dhe udhëzimet administrative, nxënësve të shkollave publike të Kalifornisë shpesh do t’u parashtrohet stili homoseksual i jetës, ndërsa mësuesit e tyre do të inkurajohen të kryejnë trajnime për “tolerancë”. Karen Holgate e Capitol Resource Institute përshkruan një shkollë të qarkut, e cili është duke përdorur një kurs të quajtur Në Parandalim të Paragjykimit, ku përfshihen mësime rreth “daljes” dhe “çka është një djalë/vajzë?” Holgate tha: “Kjo lëvizje s’ka të bëjë asgjë me tolerancën. Kjo synon riorientimin e urrejtjes ndaj kujtdo që nuk pajtohet se homoseksualizmi s’është një stil normal i jetës, pozitiv e i shëndetshëm”.

Kur flasim për stile jetësore normale, në vitin 2000 grupi i aktivistëve homoseksualë GLSEN (Gay, Lesbian, and Straight Education Network) dhe Departamenti për Edukim i Masaçusets organizuan një konferencë pranë Tufts University në Boston. Në këtë konferencë, organizatorët i mësuan mësuesit e shkollave publike si të përfshijnë porosi pozitive rreth homoseksualizmit në programin mësimor. Por, më kontroverse ishin instruksionet ndaj fëmijëve të moshës 14 vjeçe lidhur me praktikat e ndryshme homoseksuale. Zemërimi për këtë çoi në përjashtimin nga puna të dy instruktorëve të Departamentit për Edukim, por kjo nuk zmbrapsi GLSEN nga planifikimi i një konference tjetër pa vonuar.

Një teknikë tjetër indoktrinuare është përdorimi i videove pro- homoseksuale në shkollat fillore e të mesme. Debra Chasnoff dhe Helen S. Cohen prodhuan një seri me tri pjesë, të titulluar “Respekt për të gjithë”. Videoja e parë, “Ajo është një Familje”, i ekspozon nxënësit ndaj llojeve të shumta të familjeve: “të shkurorëzuar, prind i vetëm, të adoptuar, multi-racor, familjet e përziera, si dhe familjet e bashkuara homoseksuale dhe lesbiane”. Chasnoff dhe Cohen janë optimistë se “ndikimi i këtij projekti do të jetë i pamasë”. Në një letër për përfitim fondesh, ata thonë: “Mundësimi i nxënësve të shkollave fillore për të dëgjuar fjalën ‘gej’ (homoseksual) dhe ‘lesbian’, të përshkruar në mënyrë reale nga vetë ata, si dhe përjetimi i familjeve gej dhe lesbike në kontekstin … (a) e grupeve të llojllojshme të familjeve tjera, do të mund të ketë një ndikim të thellë në vlerat dhe sjelljet e tyre për tërë jetën”. Një fjalë tjetër për këtë është propagandë, dhe njeriu vetëm mund të çuditet përse shkollat publike duhet t’i japin shtysë kësaj.

Edukatorët, pa dyshim, janë duke u mobilizuar për të zbatuar agjendën e indoktrinimit homoseksual. Një shkollë e mesme në Elk Grove, Kaliforni, sponsoroi një ngjarje pro-homoseksuale, ku u përfshinë disa skeçe me një person të vetëm. Temat përfshinë dhunimin seksual të një vajze dhe një lojtar futbolli homoseksual, i cili thoshte se ishte “lindur” i tillë. Prindërit nuk u njoftuan për ngjarjen dhe njëri tregoi se të birit i ishte thënë në shkollë: “Është në rregull, nëse ti nuk i pëlqen vajzat, sepse kjo do të thotë që ti je homoseksual”.

Në shkollat fillore Pleasant Valley dhe San Ramon në Novato, Kaliforni, zunë vend aktivitete të ngjashme. Prindërit u indinjuan me faktin se nxënësit nga klasa e dytë deri në të gjashtën u ishin nënshtruar shfaqjeve me tema homoseksuale pa dijen e tyre. Këto shfaqje u quajtën “Cootie Shots: Vaksinim Teatror Kundër Fanatizmit”. Në njërin nga skeçet, një djalosh bartte një fustan dhe diskutonte veshjen e teshave të gjinisë së kundërt. Në një tjetër, që kishte të bënte me homoseksualizmin, një karakter femëror u fut në marrëdhënie seksuale me një princeshë në vend të një princi.

Nganjëherë, aktivistët homoseksualë nuk fshehin, së paku mes tyre, agjendën e tyre për indoktrinimin e nxënësve me synimin e transformimit të shoqërisë, e as nuk fshehin armiqësinë ndaj pikëpamjeve të kundërta. Në një konventë të GLSEN në Atlanta, në tetor të vitit 1999, folësit përvijuan planin e tyre. Deanna Duby e National Education Association, duke folur në këtë konventë, tha: “Frika e së Djathtës fetare është se shkollat e sotme janë qeveritë e së nesërmes. Dhe a dini çka? E kanë me vend”. Folësi James Anderson, drejtor i komunikimeve në GLSEN, shtoi: “Ne do të edukojmë një gjeneratë fëmijësh, të cilët nuk do të besojnë në të drejtën fetare”.

GLSEN duhet të jenë krenarë për progresin e bërë. Shumë shkolla kanë adoptuar konceptin e “shkollës së sigurt” që GLSEN predikon, domethënë shkollat janë të sigurta vetëm nëse nxënësve që nuk pajtohen me homoseksualizmin u mohohet liria e fjalës në këtë çështje. Kushdo që shpreh një opinion kundër homoseksualizmit, pavarësisht dhembshurisë në kontekstin e përdorur, do të konsiderohet si nxitës i “urrejtjes”. Një i ri me emrin Xhonatan në shkollën e mesme në Vermont, sfidoi insistimin e mësuesit të tij se homoseksualizmi është gjenetik. Përgjigja e mësuesit qe: “Ç’është me ty, Xhon! Ti je homofob? A di ti se shumë njerëz që kanë frikë nga homoseksualët, në fakt, vetë janë homoseksualë?”

GLSEN ka shkuar tepër larg vetëm brenda disa viteve të fundit. Me një buxhet 3.5 milionësh, është bërë një forcë e frikshme në shkollat publike, duke u përpjekur të realizojë agjendën e vet ashtu siç parashtrohet në publikimin e tyre “Heteroseksiszmi në shkollat Tona: Udhëzues për ta Kuptuar dhe Zhbërë atë”. Ky dokument zbulon se lobi homoseksual po bëhet më i guximshëm. Heteroseksizmi definohet si “besimi se heteroseksualizmi është normal, homoseksualizmi është i sëmurë dhe amoral”. Termi – thuhet aty – nuk është menduar ta zëvendësojë homofobinë. Heteroseksizmi është një fjalë më e gjerë, e cila nuk tregon një shkallë të njëjtë të urrejtjes, madje mund të përfshijë “mendime e sjellje të pafajshme në dukje bazuar në besimin se heteroseksualizmi përbën normën”. Këto fara tashmë kanë mbirë, siç mund të tregohet edhe nga incidenti në një shkollë të mesme në Arcata, Kaliforni, ku fëmijët u bënë të uleshin në rreth dhe t’i përgjigjeshin pyetjes: “A besoni që homoseksualizmi është një gjynah, prandaj dhe i gabuar?” Mendoni rreth kësaj për pak çaste: shkollat publike, të cilat me aq ngulmim përpiqen të ndajnë fenë nga shkolla, janë të vullnetshme të thirren në fe vetëm e vetëm që t’i përmbysin besimet fetare si injorante dhe jotolerante, apo dhe të kuptuara gabimisht nga besimtarët tradicionalë. Sigurisht, në këtë s’gjejmë kurrfarë instruksione mbi vlerat!

Një tjetër shembull i tolerancë homoseksuale në aksion ndodhi në shkollën e mesme Pioneer në Ann Arbor, Miçigen. Në vitin 2002, shkolla festoi “Javën e Diversitetit 2002”, e cila përfshinte një sërë aktivitetesh, siç është tubimi mbarë shkollor, me fjalime nga nxënësit dhe panel-diskutime në temat si “Homoseksualizmi dhe Feja”.

Shkolla u kërkonte nxënësve të dorëzonin tekstin e fjalimeve të tyre në administratë për miratim. Kur nxënësja Benty Hansen dorëzoi fjalimin e saj, zyrtarët e shkollës i hoqën të gjitha qëndrimet kritike ndaj homoseksualizmit. Betsy, po ashtu, u ndalua të artikulonte pikëpamjen e saj katolike gjatë panel-diskutimit, ndonëse paneli do të duhej të fliste rreth homoseksualizmin dhe fesë. Zyrtarët e informuan atë se porosia “negative” e saj do të kundërshtonte dhe do ta “humbiste efektin pozitiv” të porosisë fetare të cilën ata po përpiqeshin ta përcillnin: që feja dhe sjellja homoseksuale janë të përputhshme me njëra-tjetrën dhe sjellja homoseksuale s’është as gjynah, as imorale. Kështu, ne kemi një shkollë publike që instrukton një nxënës të krishterë për atë çfarë përnjëmend do të thotë feja, ndryshe nga ç’mund të besojë ajo vetë apo ç’mund t’i thonë prindërit apo prifti. Kjo është më tepër se indoktrinim; është shfrytëzim i një shkolle publike për të përjetësuar pavërtetësinë.

Një tjetër shembull revoltues i një propagande dhe “tolerance” të këtillë ndodhi në shkollën e mesme jugore në Newton, Masaçusets, në vitin 2001. Një mësues aty i tha gazetës The Boston Globe se kish prezantuar lehtas temat “biseksual, homoseksual, lesbian, dhe transgjinor” në orën mësimore. Ai kish shpërndarë novelën The Perks of Being a Wallflower nga Stephen Chbosky dhe kish instruktuar klasën të shkruanin një ese mbi të. Libri përmbante temat të atilla si bestialitet (marrëdhënie seksuale mes djalit dhe qenit), marrëdhënie seksuale mes djalit dhe burrit, marrëdhënie seksuale anale mes djemve, masturbim mashkullor, dhe masturbim femëror me anë të hot-dog. Kur prindërit bënë vërejtje, zyrtarët e shkollës i trajtuan si injorantë të neveritshëm.


Fundnota:

1. Në marrëdhëniet publike, “spin” paraqet një formë propagande, që arrihet duke ofruar një interpretim të një ngjarjeje apo një fushatë për të bindur opinionin publik në favor apo kundër një organizate të caktuar a një figure publike. Përderisa marrëdhëniet publike tradicionale, po ashtu, mund të mbështeten në prezantimin kreativ të fakteve, “spin” shpesh nënkupton taktika të pasinqerta, mashtruese dhe tejet manipuluese. (William Safire, “The Spinner Spun”, New York Times, 22 Dhjetor, 1996.

2. Një shoqëri terroriste, e cila përdor terrorizmin për të promovuar epërsinë e racës së bardhë. Ajo kryesisht operoi në jug të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë viteve 1900.

3. Në shumë universitete, pornografia është ngritur në një disiplinë fisnike brenda klasës. Madje, universitetet e ashtuquajtura të krishtere, si Wesleyan dhe Middletown në Konektikat, kanë degjeneruar në këtë praktikë. Wesleyan ofroi një kurs të quajtur “Pornografia: Shkrime të Prostitutave”. Disa vite më herët, profesoresha Hope Weissman u tha nxënësve të bënin një punim pornografik si detyrë përfundimtare të lëndës mësimore. “Unë nuk vë kufizime në këtë”, shpjegoi Weissman. “Kjo u mendua të jetë: Thjesht bëj një punim tëndin pornografik”. Një nxënës nxori një video duke e lëvizur objektivin e kamerës në sytë e një mashkulli ndërsa ai po masturbonte. Një nxënëse ofroi fotot e vetes së saj duke bërë seks oral me të dashurin. Kur dikush më në fund bëri vërejte, zyrtarët e shkollës iniciuan një rishikim të lëndës mësimore për të vlerësuar “sa është kursi i përshtatshëm me objektivat e programit Letrat e Kolegjit dhe ato të studimeve të femrave”. Rishikimi shkaktoi një indinjatë nga ana e fakultetit dhe studentëve, të cilët u zemëruan nga kjo fyerje e ashtuquajtur liri akademike. Veprimi i administratës “përbën sulmin më të madh ndaj lirisë akademike në Weseyan në së paku dyzet vjetët e fundit”, kritikoi një nxënës redaktor. Por, pornografia në klasë nuk është e kufizuar vetëm në Wesleyan. Edhe disa universitete sekulare të vendit ofrojnë kurse të tilla. Constance Penley, kryetare e Departamentit për Studime të Filmit pranë universitetit Santa Barbara të Kalifornisë, e cila futi pornografinë në programin mësimor aty në vitin 1993, e quajti profesoreshën Weissman si “një femër e guximshme … Tash filmi pornografik mund të shihet si krejtësisht normal dhe si një pjesë e domosdoshme e një programi mësimor për studimin e filmave”.

4. Në anglisht këto terme nuk aludojnë në ndonjë gjini të caktuar.