Rrënjët e kulturës perëndimore

Fragment i shkëputur nga libri The Clash of Civilizations – An Islamic View, fq. 14-32, me autor Dr. Bilal Philips, Al-Hidaayah Publishing & Distribution Ltd, Birmingham, UK, 2007

Rrënjët e kulturës perëndimore i gjejmë në Evropë. Civilizimit perëndimor i referohemi shpeshherë si civilizim greko-romak. Ky civilizim filloi në Greqi dhe Romë përderisa pjesa tjetër e Evropës ishte në një gjendje barbarie. Idhujtaria ishte, sikurse në tërë Evropën, fe zyrtare e tyre. Grekët dhe romakët adhuronin një numër perëndish të cilat shquheshin prej njerëzit me pavdekshmëri. Ato besohej se kontrollonin shumë forca natyrore dhe sociale: Zeusi kontrollonte motin, Posejdoni detin, Demeteri të korrurat, Hera martesat, Fortuna fatin e mirë dhe të keq, Diana kontrollonte dashurinë, e kështu me radhë. Sipas mitologjisë greke, perënditë e mëdha jetonin në malin Olimp, ku sundonte perëndia kryesore, Zeusi (Jupiteri në Romë). Të gjitha perënditë adhuroheshin si idhuj në forma njerëzore, kurse akti më i lartë i adhurimit grek ishte sakrifica. Sakrificat dallonin sipas perëndive të cilave u kushtohej adhurimi, p.sh. lopët thereshin kurban për Herën, demat për Zeusin, kurse derrat për Demeterin.1

Ndikimi i idhujtarisë

Ndikimi i idhujtarisë greke dhe romake dhe i vendeve të tjera të Evropës ka lënë gjurmë të pashlyeshme në civilizimin perëndimor, edhe pse këto fe janë braktisur prej kohësh. Për shembull, ndonëse sot të gjitha vendet e botës për ditët e javës kanë emra në gjuhët e tyre, emrat anglezë janë bërë standard ndërkombëtar në këtë. Emrat për ditët e javës në anglishte e kanë prejardhjen nga idhujtaria. Ditët që romakët i kishin caktuar për ta adhuruar Diellin, Hënën, dhe Saturnin u bartën për t’i shënuar ditët e javës. Saturday (e shtuna) nga anglishtja e vjetër Saeterndaeg apo dita e Saturnit (Saturni ishte perëndia e bujqësisë te romakët). Sunday (e diela) prej anglishtes së vjetër sunnan daeg, dita e diellit. Monday (e hëna) prej anglishtes së vjetër monandaeg, dita e hënës. Emrat e ditëve të tjera të javës e kanë prejardhjen nga fjalët anglo-saksone për perënditë e mitologjisë gjermanike. Tuesday (e martë) e ka prejardhjen nga anglishtja e vjetër Tiwesdaeg, dita e Tiw-it (Tiw ishte perëndia nordike e luftës). Wednesday (e mërkura) prej anglishtes së vjetër Wodnes daeg, dita e Odinit (Odin apo Woden ishte perëndia kryesore e gjermanikëve); Thursday (e enjtja) prej anglishtes së vjetër thunresdaeg, dita e Thorit, perëndisë së bubullimës. Dhe Friday (e premtja) prej anglishtes së vjetër Frigedaeg, dita e perëndeshës Frigg (Frigg ishte gruaja e Odinit; ajo, sipas besimeve nordike, ishte perëndeshë e bukurisë dhe e dashurisë).2

Rrënjët e civilizimit perëndimor identifikohen gjithashtu si Judeo-Krishtere. Origjina e krishterimit është në judaizëm. Jezusi ishte profet hebre, i cili jetonte sipas Ligjit Hebre (Toras). Mirëpo, mësimet e tija do të paganizoheshin me t’u bartur në Greqi dhe në Romë. Perënditë e romakëve dhe të grekëve kishin pamjen e qenieve njerëzore dhe besohej të kishin marrëdhënie me njerëzit prej së cilave lindnin gjysmë-perënditë. Sipas mësimeve të shpikura, Jezusi, i cili ishte lindur nga e ëma e tij njerëzore, ishte inkarnim i Zotit që kishte zbritur në tokë te njerëzit. Statusi i Jezusit, i ëmës së tij dhe i shenjtorëve u bë pjesë përbërëse e adhurimeve krishtere. Dita kryesore për adhurim kolektiv u ndryshua prej Sabatit (ditës së shtunë) në të dielën. Në Romë, e shtuna ishte ditë adhurimi kushtuar perëndisë diell, Apollos, birit të perëndisë kryesore, Jupiterit. Ky ndryshim i ditëve u bë për t’i joshur idhujtarët romakë, duke i marrë për bazë ngjashmëritë e besimeve të tyre rreth birit të perëndisë.

Kërshëndellat (prej anglishtes së vjetër Cristes maesse, “Mesha e Krishtit”) janë një shembull tjetër i Krishterimit të paganizuar. Data 25 dhjetor u caktua nga Kisha Romane Katolike si datë e lindjes së Jezu Krishtit3 pa ofruar kurrfarë dëshmie biblike apo historike. Kremtimi më i hershëm që është shënuar daton nga viti 336 (sipas kalendarit gregorian) në Romë4. Data 25 dhjetor përkonte me festivalin romak, që shënonte “ditëlindjen e diellit të pamposhtur” (natalis solis invicti); pra kremtohej solstici dimëror, koha kur ditët fillonin të zgjateshin përsëri. Ajo përkonte edhe me kremten romake të Saturnalisë (17 dhjetorin) në të cilën shkëmbeheshin dhurata.5

Adhurimi i drurit, që ishte shumë i përhapur te idhujtarët evropianë, mbijetoi në traditat skandinave edhe pas konvertimit në krishterim, ku shtëpitë dhe hangarët dekoroheshin me gjelbërim të përjetshëm (Bredhin e Krishtlindjeve).6

Gjithashtu, mysafiri në Perëndim nuk do ta shohë askund katin e 13 në ashensorët e ndërtesave, në komplekse afariste apo në hotele. Shtëpitë nëpër lagje shënohen me numra: 11, 12, 12…14. Askush nuk dëshiron të banojë në ndonjë shtëpi apo apartament që ka numrin 13 apo në katin 13. Kah fundi i viteve të 60-ta, lansimi për në hënë i Apollo-s e huqi destinacionin dhe gati sa nuk humbi në hapësirë, dhe, pas disa përpjekjeve, mezi arriti të kthehej i sigurt në tokë. Kur piloti komandues dhe ekipi i tij u nxorën nga Atlantiku dhe u kthyen në bazën e Cape Carneval, gazetarët e pyeten se si ndjehej, ai u përgjigj duke thënë se ishte dashur ta dinte se kjo do t’i ndodhte. Pyetjen rreth problemeve teknike ai i injoroi dhe tha se nuk kishte pasur ndonjë problem teknik, por problem kishte qenë fluturimi i Apollo 13, i cili u lansua në ora 13:13 ditën e premte, të datës 13! Kjo besëtytni i ka rrënjët në traditën krishtere, ku besohet se darkën e fundit Jezusi e kishte ngrënë me dymbëdhjetë shokët (pasuesit) e tij. Dhe më vonë, njëri prej tyre me emrin Juda e tradhton Jezusin duke ndihmuar në kryqëzimin e tij. Kështu, sipas tyre, numri 13 solli fat të keq për Jezusin dhe, për pasojë, besimi i paganëve në hajmali që sjellin fat të mirë dhe të keq rishfaqet te perëndimorët në numrin 13-të.

Perandoria e shenjtë romake

“Trashëgimia romake u përzje me elemente gjermanike dhe krishtere për t’i vënë themelet mesjetare të civilizimit perëndimor.”7

Krishterimi i shtrembëruar në formë të kishës katolike romake sundonte në Evropën e Mesjetës8 bashkë me mbretërit dhe perandorët e asaj periudhe. Renesanca9 apo “Rilindja” paraqet periudhën e çlirimit nga prangat e dogmës katolike romake që aq gjatë i kishte mbajtur të izoluar dhe shtypur mendimet e lira dhe çdo përpjekje tjetër për zbulime apo reforma shkencore. Dijetarët katolikë e, po ashtu, shkencëtarët të cilët e vënin në pikëpyetje ndonjë prej mësimeve të shtet-kishës katolike romake konsideroheshin heretikë dhe shpeshherë torturoheshin apo digjeshin në turrë drurësh. Kjo periudhë e sundimit nga kishat më pas do të njihej si “Epoka e Errët”. Pastaj nga lëvizja e Rilindjes u krijuan dy rryma të ndryshme fetare; njëra e reformës udhëhiqej nga Martin Luther (1483-1546) dhe Calvin (1509-1564), dhe tjetra, që ishte tërësisht refuzuese, udhëhiqej nga Hume (1711-1776) dhe të ngjashmit me të. Lëvizja reformiste, e cila u bë e njohur si lëvizje Protestante, i kundërshtoi të gjitha ceremonitë, ritualet dhe hierarkinë e katolicizmit romak dhe përpiqej për kthim të krishterimit më të pastër. Pas një lufte të ashpër me udhëheqësit e kishës që i shpiu deri tek dëbimi i disa reformistëve, një numër i komuniteteve nga Evropa shkëputen nga Kisha katolike duke formuar kështu kisha të reja në të cilat Maria, nëna e Jezusit, nuk adhurohej më dhe nuk kërkohej më ndërmjetësim përmes njerëzve të shenjtë. Priftërinjve iu lejua të martoheshin ndërsa pagabueshmëria e Papës u refuzua tërësisht. Ritualet si ajo e lidhjes shpirtërore, në të cilën copat e bukës servireshin në kongregacion, duke besuar se ato disi transformoheshin në trupin e Jezu Krishtit, u hodhën poshtë së bashku me përdorimin e latinishtes në Kishë. Në anën tjetër, lëvizja e refuzimit total e mohonte apo e vinte në dyshim ekzistencën e Zotit dhe bashkë me të edhe vlefshmërinë e fesë. Mohimi i ekzistimit të Zotit u bë mjaft i popullarizuar nga ndikimi i filozofëve të asaj periudhe dhe, për herë të parë në histori, ateizmi i pastër filloi të përhapej në masë të madhe. Në fillim, përhapej fshehtazi, por me kohë doli haptazi, veçanërisht në qarqet shkencore dhe ato politike.

Tranzicioni më i madh i shkencës moderne ngjau në luftën mbi teorinë e Kopernikut – revolucioni Kopernikan. Galileu ishte heroi i parë i kësaj beteje të madhe. Sipas tij, vrojtimi i qiellit që ai e kishte bërë me teleskopin e tij, e arsyetonte teorinë e Kopernikut: krejt ndryshe nga siç ishte menduar me shekuj, dielli ishte i palëvizshëm ndërsa toka rrotullohej rreth tij dhe rreth boshtit të saj. Kjo ide e re ishte e bezdisshme për pasuesit e Aristotelit, të cilët komplotuan kundër tij dhe kërkuan nga Kisha që t’ia mbyllte gojën atij dhe ta shpallnin heretik 10. Me këtë, Kisha i diskreditoi përgjithmonë doktrinat e saja në kokat e shumë mendimtarëve. Këtë e bëri duke pretenduar se posedonte monopol mbi të vërtetën.

Galileu u dënua ndërsa librat e tij u ndaluan zyrtarisht. Por, idetë e tij triumfuan dhe bashkë me to i erdh fundi edhe shkencës aristoteliane dhe gjurmimit për shkaktarët final. Me kalimin e kohës, shkencëtarët kishin më shumë mundësi të elaboronin më shumë mekanizma për të sqaruar si funksiononte universi dhe tërë ajo që na rrethon. Të gjitha misteret që njerëzit dikur ia kishin atribuuar Zotit apo zotave, dolën të kishin sqarime të thjeshta mekanike.

Gjersa sqarimet mekanike përhapeshin gjithandej, gjithnjë e më pak mbetej hapësirë për Zotin. Nga shekulli 18-të, teizmi (besimi në një Zot personal) i hapi derën deizmit sipas të cilit Zoti ishte thjesht “shkaktari i parë”, duke nënvizuar parimin e racionalitetit në univers 11. Deisti më i njohur i shekullit 18 ishte Voltaire, i cili haptazi e sulmonte religjionin. Deizmi shumë shpejt devijoi në ateizëm apo në besimin se Zoti nuk ekziston fare. Ky ishte qëndrimi i filozofit anglez David Hume.12

Deri në shekullin 19, shumica e njerëzve, madje edhe një pjesë e madhe e elitës intelektuale, mbetën besimtarë. Pastaj ndodhi edhe goditja e fundit shkatërruese: ardhja e epokës së dy shkencave “historike”, gjeologjisë dhe biologjisë. Në fillim të shekullit 19, disa shkencëtarë akoma mendonin se Dhiata e Vjetër përmbante të dhëna të sakta mbi historinë e vjetër botërore, duke i bazuar pohimet e tyre në librat e para të Biblës. Vjetërsinë e tokës e llogaritnin në bazë të të dhënave gjenealogjike biblike. Parregullsitë e tokës i shpjeguan duke iu referuar përmbytjes së popullit të Noas. Kjo teori u bë e njohur si Katastrofizëm, kurse ithtarët e saj e shihnin atë si rrugë që legjitimonte besimin në Zot përkitazi me natyrën. Në vitin 1830, libri i Charles Lyell Parimet e Gjeologjisë i fundosi katastrofistët. Në tri volume, nëpërmjet argumenteve të përpikta, Lyell tregonte se si forcat normale të natyrës mund të merreshin si shkaktare të të gjitha parregullsive të pamjes natyrore, për sa kohë që besohej se toka ishte krijuar shumë më herët sesa tregonin rrëfimet biblike 13.

Ajo çfarë gjeologjia e Lylle u bëri protestantëve, ishte e njëjtë me atë çfarë Galileu u kishte bërë me zbulimet e tija katolikëve 14.  Nga mesi i shekullit 19, njerëzve të shkolluar u dukej tejet e vështirë t’i harmonizonin zbulimet e shkencës së re me besimin fetar. Këto trauma u panë në veprën e shkrimtarit të njohur të epokës Viktoriane angleze, Alfred Tennyson, i cili natyrën e përshkruante me një pamje te re, si “të kuqërremë fund e krye,” në librin e tij “In Memoriam”, kushtuar vdekjes së parakohshme të shokut të tij të ngushtë.

Darwini i ri e mori me vete vëllimin e parë të Lyell Parimet e Gjeologjisë në udhëtimin e tij të njohur për në Beagle në vitin 1831. Në këtë udhëtim, ai shkoi si besimtar i krishterë; por, brenda një kohe të shkurtër mbas këtij udhëtimi, ai u bë agnostik 15. Ai nuk do ta botonte librin e tij Origjina e Specieve deri në vitin 1859. Dhe, kur ky libër doli, ishte një coup de grace (goditje vdekjeprurëse): shkenca moderne, me në fund, e kishte gjetur një mekanizëm të thjeshtë për të sqaruar prejardhjen e jetës dhe të vetë llojit njerëzor. Darwini i dha shpirt të freskët ateizmit, një fakt ky që u pranua shumë shpejt anë e mban botës. Ateisti i njohur i shekullit 19 Karl Marx, i cili i kërkoi Darwinit që përkthimin e Capital në gjuhën angleze t’ia dedikonte atij, në botimin e librit në gjuhën gjermane shkroi: “Nga një admirues i përkushtuar i Charles Darwin”.

Dukej sikur shkenca kishte gjetur sqarime mekanike për çdo gjë 16. Verdikti për të dukej i pashmangshëm. Kjo përfundimisht u deklarua në vitin 1885 nga filozofi gjerman Freidrich Nietzche, si “shock jock” (thyerje tabush) i asaj periudhe: “Zoti ka vdekur” 17.

Të dyja teoritë, ajo e Darwinit mbi Evolucionin dhe ajo e Marxit mbi materializmin dialektik, përpiqeshin ta shpjegonin ekzistencën e njeriut përmes forcave natyrore dhe socio-ekonomike, duke e larguar kështu nevojën e mbështetjes te forcat mbinatyrore për ta sqaruar prejardhjen e tij. Në librin e tij Origjina e Specieve, Darwini pandehte se njerëzit kanë prejardhje nga majmunët të cilët, ashtu si të gjitha format e jetës shumë-qelizore, kishin evoluuar prej organizmave njëqelizor përmes një procesi të cilin ai e quajti “seleksionim natyror”, por që u bë i njohur si “mbijetesa e më të fortit”. Në anën tjetër, Marxi e reduktoi gjithë historinë njerëzore në një betejë ekonomike mes kamjes dhe skamjes; mes barqeve të zbrazura dhe atyre të mbushura, apo siç ai e quajti “luftë klasore”. Të gjitha sistemet shoqërore të Marxit ishin shprehje e njërës apo shtresës tjetër klasore, shtresës sundimtare dhe asaj të shtypur. Së këndejmi, religjioni, sipas Marxit, ishte një vegël e cila përdorej nga shtresa sundimtare për ta mbajtur status quo-n, kurse Zoti ishte mik imagjinar i të pasurve të cilët e paracaktonin sundimin e tyre mbi të varfëritë.

Darvinizmi

Darwini evropianët e bardhë i konsideronte më të “avancuar” sesa racat e tjera njerëzore. Ndonëse ai pretendonte se njeriu kishte evoluar prej majmunit, sipas tij, disa raca njerëzore u zhvilluan më shumë se disa të tjera, kurse ato të mëvonshmet bartnin akoma tipare majmuni. Në librin e tij, The Decent of Man (Prejardhja e Njeriut), të cilin e botoi pas Origjina e Specieve, ai guximshëm komentonte “dallimet më të mëdha mes njerëzve të racave të ndryshme” 18.

Mendimet e Darwinit për vendasit e zinj triumfuan në Anglinë para-viktoriane duke i dhënë kësisoj pikëmbështetje racizmit dhe, së këndejmi, imperializmit dhe kolonializmit. Pikëpamjet e Darwinit u dhanë evropianëve një shkas pseudobiologjik dhe një lustër shkencore për të marshuar drejt tokave të pazhvilluara të Afrikës, Azisë dhe Oqeanit Paqësor, me qëllim që t’i plaçkitnin njerëzit dhe pasuritë e tyre … Imperialistët progresivë pretendonin se misioni i tyre ishte qytetërimi i vendasve të prapambetur dhe të pafat që gjendeshin në një shkallë më të ulët të evoluimit njerëzor 19.

Demokracia sekulare

Flamuri kryesor i qytetërimit të sotëm perëndimor është ai i demokracisë sekulare. Ai valon në shtetet perëndimore të cilat e konsiderojnë atë si sistem të përkryer për të gjitha shoqëritë e botës. Meqë shoqëritë më të avancuara, sipas perëndimorëve, janë ato të Perëndimit, atëherë edhe sistemet të cilat ata i kanë zhvilluar duhet të jenë më të përparuarat dhe më të përshtatshmet për shoqërinë njerëzore moderne.

Sekularizmi është sistem i besimit, i cili i kundërshton të gjitha format e adhurimit dhe besimit fetar. Sipas këtij botëkuptimi, edukimi publik dhe disa çështje tjera të politikave civile duhet drejtuar pa ndërhyrjen e elementeve fetare 20. Në mesjetë, njerëzit fetarë kishin një tendencë të fuqishme për t’i përbuzur problemet njerëzore dhe të meditonin vetëm për Zotin dhe botën e ardhme. Sekularizmi në kohën e Renesancës reagoi kundër kësaj tendence mesjetare duke u fokusuar në zhvillimin e njerëzimit 21, kur njeriu filloi të tregonte më shumë interes për arritjet kulturore njerëzore dhe mundësitë për përsosjen e tyre në këtë botë. Lëvizja drejt sekularizmit ka qenë në progres gjatë gjithë rrjedhës së historisë moderne 22.

Një prej veçorive të reja të qytetërimit evropian në fund të shekullit 16 dhe 17 ishte sekularizmi i mendjeve. Tani mësimet e sekularizmit për njerëzit e zgjuar mund të prodhonin ide më atraktive se teologjia 23.

Nga fundi i periudhës mesjetare, u përsërit një interesim për mësimet që e theksonin rëndësinë e njeriut, aftësitë e tija mendore, punën, synimet e kësaj bote, dhe mirëqenien. Supremacia e teologjisë dhe e gjërave të tjera të natyrës materialiste tanimë kishte përfunduar, “reduktimi i çdo gjëje në argumente teologjike” kundërshtohej përderisa nuk e sqaronte realitetin e situatave të reja që zhvilloheshin në Evropë. Shoqëria tanimë kishte ndryshuar rrënjësisht, tregtia ishte zgjeruar, kurse jeta nëpër qytete kishte evoluuar. Fuqia politike dhe ekonomike që më herët kishte qenë në duart e hierarkisë kishtare dhe të feudalëve tani kishte rënë në duart e borgjezëve të qytetit 24.

Mendimi i grekëve mbi ligjin e natyrës u rafinua nga shkolla Stoike e filozofisë (shekulli 4 para erës së re). Sipas Stoikëve, ekzistenca e arsyes natyrore te njeriu e lidh çdonjërin me urdhrat kozmike, duke iu nënshtruar të gjithë një ligji të vlefshëm, të moralshëm dhe universal. Ky koncept i injektoi plotësisht mendimet romake.

Në mesjetë, Shën Augustini nga Hipo arsyen e Zotit e vendoste pranë vullnetit të Tij si burim kulmor të ligjit hyjnor të pandryshueshëm dhe të përjetshëm, i cili ishte i detyrueshëm për njeriun dhe për të gjitha krijesat e tjera. Kësisoj ligji hyjnor ishte i qasshëm si për arsyen e njeriut, ashtu edhe për besimin e tij e jo vetëm vullneti i Zotit, siç kishte konkluduar Shën Pali, gjë që çonte në përplasje ndërmjet arsyes njerëzore dhe asaj hyjnore. Ne nivelin e dytë Augustini vendosi ligjin hyjnor jo më pak të pandryshueshëm, meqë njeriut i është dhënë arsyeja, zemra, dhe shpirti për ta kuptuar atë. Niveli i tretë i ligjit të përkohshëm apo pozitiv u justifikua nga ligji i përhershëm hyjnor, edhe pse ai ndryshonte kohë pas kohe dhe nga vendi në vend, për sa kohë që ai i respektonte kufijtë e vendosur nga ligji natyror hyjnor.

Koncepti i sekularizmit bie drejtpërdrejt ndesh me themelet e civilizimit Islam. Besimi dhe adhurimi janë të thurura në strukturën e shoqërisë islame. Ligji islam në vendet muslimane rregullon si politikat civile, ashtu edhe ato arsimore. Të udhëheqësh me ligj tjetër dhe jo me ligj hyjnor konsiderohet prishje dhe mosbesim. Dhe kjo tregohet shumë qartë në Kuran:

“Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka shpallur Allahu, ai është mohues i vërtetë.” (el-Maideh, 44)

Mospajtimi në opinione është rezultat i diferencave në të kuptuarit e qëllimit të ekzistencës njerëzore. Islami na mëson se Zoti i krijoi qeniet njerëzore për të jetuar jetë të rehatshme gjatë qëndrimit të tyre të kufizuar në dynja, në mënyrë që ta shijojnë jetën e lumtur dhe të përhershme të botës tjetër. Porositë hyjnore të adhurimit e udhëzojnë njeriun drejt së ndershmes (mirës), prandaj feja e zbritur hyjnore luan një rol në të gjitha aspektet e jetës së njeriut:

“Thuaj: ‘Në të vërtetë, namazi im, kurbanin im, jeta ime dhe vdekja ime i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.” (el-En’am, 162)

Sipas demokracisë sekulare, njerëzit janë prodhim i procesit evolucionar pa kurrfarë qëllimi në jetë, sikurse kafshët përreth tyre: “Ha, pi, dhe kënaqu, se nesër do të vdesësh.” Sipas këndvështrimit të tyre, feja i pengon njerëzit nga liritë e tyre për ta shijuar jetën, prandaj fenë duhet lënë plotësisht anash. Ata që dëshirojnë t’u caktojnë vetëve të tyre kufi, mund ta bëjnë këtë, ndërsa të tjerët mund të jetojnë të lirë, pa ndonjë pengesë fetare. Në vend të kësaj, njerëzit mund t’i caktojnë vetë kufijtë për vetët e tyre, sipas zgjedhjes së tyre, në përputhje me parimet që ata vetë i vejnë. Mënyra e të zgjedhurit është demokracia apo ligji i shumicës.

Demokracia

Që të dyja – emri dhe koncepti – e kanë prejardhjen nga greqishtja e vjetër, që do të thotë “sundim i popullit.” Në shtet-qytetet greke, veçanërisht në Athinë, skllevërit dhe gratë ishin të privuar nga e drejta e votimit, kështu që vetëm një pakicë e banorëve (20 – 30%) ishin qytetarë aktivë (me të drejtë vote –sh.p) 20. Realiteti i demokracive të sotme perëndimore nuk ndryshon edhe aq shumë nga ajo e para. Në fakt, pakica e cila qeverisë është bërë akoma më e vogël. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kalojnë nëpër një sërë zgjedhjesh, duke krijuar kësisoj te populli iluzionin se ata marrin pjesë në mënyrë aktive në qeverisje së vetvetes. Pamundësia e shkollimit pa pagesë prej parashkollorit e deri te studimet e doktoratës, lë të kuptohet se pjesa më e madhe e shoqërisë nuk mund të participojë në qeverisje. Po ashtu, pagesat e larta të shkollimit terciar shumicën e njerëzve të shtresave më të ulëta i ndalojnë nga ngritja në shoqëri. Megjithatë, sikur qytetarëve amerikanë t’u jepej mundësia e zgjedhjes, shumica prej tyre do ta preferonin shkollimin pa pagesë, të kishin kujdes shëndetësorë pa pagesë dhe banim të siguruar nga shteti. Shkollimi pa pagesë mbaron me përfundimin e shkollës së mesme jo për shkak se është e pamundur ekonomikisht për t’u vazhduar, por për shkak të domosdoshmërisë që shumica të mbahet e varur prej mësimeve të pakicës. Vendet si Sudani kanë arritur të sigurojnë shkollim pa pagesë, pavarësisht vështirësive ekonomike.

Demokracia, siç kuptohet nga mendimtarët Perëndimorë, nuk është thjesht një vegël politike, por një ligj shoqëror apo filozofi. Ata me bindje të plotë thonë se “Demokracia Perëndimore tejkalon kufijtë e qeverisjes dhe depërton tek të gjitha marrëdhëniet njerëzore.”25

Demokracia si mënyrë e të jetuarit bazohet ne tri parime kryesore, nga të cilat i parë është ai i barazisë. Nga këndvështrimi i racionalistëve humanistë, të gjithë njerëzit, përveç dallimeve të klasës shoqërore, racës, gjinisë, kombësisë, dhe religjionit, kanë një gjë të përbashkët: aftësinë për të menduar 26. Ky parim nuk bie aspak në kundërshtim me mësimet islame. Në Islam, barazia theksohet në besimin në Zot. Profeti Muhamed (aljhi selam) citohet të ketë thënë: “Çdo fëmijë lind në natyrshmëri të pastër me besim në Zot (fitrah)” 27.

Parimi i dytë i empirizmit racional përfshin besimin e plotë në eksperiencën dhe arsyen njerëzore. Supozohet se mendja e njeriut ka aftësi që, nga përvoja historike dhe personale, të vijë në përfundim se çka është më e mira për shoqërinë njerëzore. Por, nuk është kështu. Për shembull, kushtetuta amerikane, e shkruar nga njerëzit më të besueshëm dhe më të zgjuar të shekullit 23, përmban një nen i cili është plotësisht i padrejtë dhe i pasaktë, dhe kjo i hedh poshtë aftësitë e njerëzve të shkolluar modern për të kuptuar. Neni 2, pika 1, i titulluar Kompromisi i Tri të Pestave, thotë se zezakët (skllevërit në atë kohë) duhet llogaritur si tri të pestat e një të bardhi 28.Të gjithë autorët e saj ishin prej atyre që vetë posedonin robër të cilët nuk i konsideronin të barabartë me veten e tyre. Pra, kur e shkruan këtë dokument, ata thjesht i shprehën idetë dhe besimin e tyre për shtresën sundimtare të kohës së tyre. Arsyeja dhe përvoja njerëzore nuk ka arritur ta kuptojë se çfarë në të vërtetë është e drejtë.

Çdo rishqyrtim i sistemit ligjor të Evropës, Azisë apo Afrikës na bën të kuptojmë se njerëzit si ligjvënës i bëjnë ligjet sipas interesave te tyre sektare apo klasore. Ata e kanë shumë të vështirë të jenë plotësisht objektiv. Pra, sipas Islamit, vetëm Zoti, Ai i cili e krijoi njeriun, i di më së miri nevojat e tij dhe vetëm Ai mund të shpallë ligje absolutisht të drejta dhe pa asnjë interes. Inputi i njeriut kufizohet në zbatimin e ligjeve hyjnore dhe në deduksionin e ligjeve dytësore.

Parimi i tretë i referohet diskutimit dhe miratimit. Ky është një lloj mekanizmi nga i cili miratohen vendimet demokratike. Diskutimi bazohet në pikëpamjen demokratike se askush nuk posedon të vërtetën absolute, prandaj të gjitha palëve të përfshira u duhet dhënë lirinë e të shprehurit. Asnjë e vërtetë nuk është e sigurt sa të mos mund të sfidohej 29. Pas dëgjimit të opinionit të të gjithëve, merren vendime nga votat e shumicës. Pas gjithë kësaj, e vërteta, gënjeshtra, e mira dhe e keqja, të gjitha bëhen relative. Siç thuhet shpesh: “Mishi për njërin është helm për tjetrin”.

Gjithashtu, ajo që sot shihet e mirë, nesër mund të mos jetë e tillë, dhe anasjelltas. Pasoja shoqërore e këtij parimi është largimi i çdo themeli për moral të qëndrueshëm në shoqëri. Për shembull, libri i titulluar Catcher in the Rye, i cili ishte ndaluar në vitet e 50-ta për shkak të përmbajtjeve pornografike, tani u kërkohet nxënësve të shkollave të mesme të Kanadës ta lexojnë. Që nga viti 1976, çdo numër i gazetës mainstream britanike The Sun ka përmbajtur fotografi të femrave të zhveshura apo gjysmë të zhveshura në faqen 3. Fotografitë e ngjashme në revistat Playboy, cilësoheshin pornografike në vitet e 60-ta.

Një rast tjetër është ai i sulmit të vrullshëm homoseksual në fund të shekullit 26. Po t’i pyesnim shumicën e Perëndimorëve në vitet e 50-ta dhe 60-ta se çfarë mendonin për homoseksualizmin, pa dyshim se do të përgjigjeshin se ajo ishte sëmundje, degjenerim, çoroditje etj…ndërsa ata të cilët ishin religjiozë, bile do të citonin nga Bibla, ku përmendet si diçka e “urryer nga Zoti”. Psikiatrit a asaj kohe, në veprimtarinë e tyre kryesore, këtë dukuri e konsideronin si sëmundje mendore dhe jepnin tretmanë këshilluese prej terapive të shokut deri tek terapitë me qetësues. Megjithatë, sikur të njëjtën pyetje t’ua bënim në vitet e 70-ta apo në fillim të 80-tave, përgjigjja do të ishte se homoseksualizmi është zgjedhje personale, zgjedhje e mënyrës së të jetuarit (sipas vendit edhe kuvendi) etj…Për pasojë, homoseksualizmi u hoq nga Bibla e psikiatërve30 për t’u zëvendësuar me një sëmundje tjetër me emrin homofobi. Ata të cilët e kundërshtojnë homoseksualizmin, tani etiketohen si “homofobë”31 dhe dërgohen te psikiatri për tretman. Civilizimi perëndimor është luhatur prej një ekstremi të spektrit moral në ekstremin e kundërt, duke shkuar gjithherë pas parimeve të veta demokratike.

Gjatë viteve të 50-ta dhe 60-ta, në Perëndim filloi revolucionin seksual, që kulmoi në dekriminalizimin e kurvërisë dhe tradhtisë bashkëshortore. Kur ligjvënësit modern perëndimorë e analizuan kurvërinë dhe martesën, erdhën në përfundim se dallimi i vetëm në mes tyre ishte një copë letre: certifikata e martesës. I vetmi ndikim ishte feja (Dhjetë Urdhrat biblike) e cila e kishte bërë kurvërinë të paligjshme. Gjatë kësaj periudhe, ligjvënësit nxorën një ligj të ri për të vendosur ligjshmërinë e marrëdhënieve seksuale mes njerëzve. Meqë përdhunimi konsiderohej i papranueshëm unanimisht, ata erdhën në përfundim se kërkohej parimi i “pëlqimit” që marrëdhëniet e tilla të konsideroheshin të ligjshme. Ata, po ashtu, u dakorduan se marrëdhëniet seksuale mes të rriturve dhe fëmijëve janë të papranueshme (pedofili), ngaqë ata mund të shfrytëzoheshin shumë lehtë nga të rriturit për shkak të papjekurisë së tyre. Ata mandej e shtuan edhe parimin e dytë, “moshën madhore,” për marrëdhënie të ligjshme seksuale. Shprehja “pëlqimi i të rriturve”32 do të bëhet britmë lufte e revolucionit gjinor, duke rezultuar në një rritje marramendëse të marrëdhënieve seksuale në grup, ahengjeve ku shkëmbehen gratë mes bashkëshortëve, sado-mazohizmit, bareve me femra të zhveshura, etj, në mesin e shumë faktorëve në shoqëri.

Paralelisht me revolucionin e barazisë gjinore, gjatë vitve 60-ta, u shfaq edhe Lëvizja për të Drejtat Civile. Zezakët amerikanë, të lodhur nga diskriminimi ekonomik dhe shoqëror, ia mësyn rrugëve për të protestuar në kërkim të të drejtave civile, me ç’rast u dogjën shumë lagje të qyteteve të mëdha në SHBA. Më në fund, institucionet amerikane i bënë ndryshimet e nevojshme të ligjeve për të siguruar bazë ligjore kundër diskriminimit racor. Nga fundi i periudhës së të Drejtave Civile, edhe gratë filluan t’i kërkonin të drejtat e tyre. Ato luajtën një rol të madh në luftën për të drejtat Civile; katalizatori i luftës qe refuzimi i Rosa Park për t’u ulur në fund të autobusit në Montgomeri të Alabamas në dhjetor të vitit 1955, ngjarje kjo e cila u dha flakë protestave 33. Gratë filluan t’i kërkonin të drejtat për pagesë të barabartë për punë të njëjtë, po ashtu edhe të drejtat për të mbajtur çdo pozitë që burrat tradicionalisht kishin mbajtur. Lëvizja e grave hasi në sukses të madh, duke u bërë edhe ndryshime në legjislaturën shtetërore për të siguruar të drejtat e tyre. Duke e parë suksesin e grave, homoseksualët filluan ta ngrinin fuqishëm zërin për të drejtat e tyre, duke kërkuar t’u jepej fund diskriminimit mbarëkombëtar kundër tyre. Kishte ligje shtetërore të cilat atyre nuk u lejonin mbajtjen e shumë posteve. Gjatë kësaj kohe, shumë prej tyre filluan të dilnin haptazi në rrugë për të protestuar. Në fillim, për ligjvënësit e asaj kohe homoseksualizmi ishte absolutisht i papranueshëm. Shoqëria amerikane i kishte urryer përherë praktikat e tilla. Megjithatë, homoseksualët e ngritën flamurin e revolucionit seksual “pëlqimi i të rriturve” dhe haptazi e sfiduan moralin e shoqërisë. Ata ua kujtonin ligjvënësve se mospranimi i homoseksualëve ishte i bazuar në fe, dhe se feja nuk do duhej të ndërhynte në jetën private apo publike të njerëzve në një shtet sekular demokratik. Në fund, ligjvënësve iu desh t’u nënshtroheshin parimeve ligjore të cilat ata vetë i kishin shpikur dhe kështu të drejtat e homoseksualëve u mbrojtën me ligj.

Fatkeqësisht, ky ishte vetëm fillimi. Në Suedi, parimi i pëlqimit të të rriturve ishte praktikuar vite më parë për ta dekriminalizuar incestin. Pra, në Suedi një burri i lejohet me ligj të ketë marrëdhënie seksuale me nënën, me motrën apo me vajzën e vet të moshës madhore përderisa ato bëhen me pëlqim të tyre.

Në anën tjetër, kultura islame i konsideron absolute dhe të pandryshueshme ligjet e zbritura nga Zoti. Ajo që sipas ligjit të Zotit është konsideruar vepër e ligë para 1400 viteve, nuk mund të bëhet kurrë e mirë, për shkak se natyra e qenësishme e qenieve njerëzore dhe e shoqërive të tyre nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë kurrë. Pa një themel të fortë moral, njerëzimi do të degjenerohej. Kurse lënia në dorë njerëzve që ata vetë t’i përcaktojnë themelet është e mangët në thelb. Allahu thotë në Kuran:

“Sikur e vërteta të ishte sipas dëshirave të tyre, do të shkatërroheshin qiejt, toka dhe gjithçka që gjendet në to.” 34

Pavarësisht argumenteve “shkencore” për të dëshmuar se homoseksualizmi ka bazë gjenetike apo biologjike, prapëseprapë ai konsiderohet mëkat sikurse tradhtia bashkëshortore dhe marrëdhëniet jashtëmartesore, pavarësisht prirjeve njerëzore ndaj saj.

Qëndrimi islamik është se njeriu i rritur dhe i pjekur është përgjegjës për zgjedhjet (veprat) që i bën. Njerëzit, pra, nuk janë robotë të paaftë për të vepruar përtej programimit të tyre. Sipas disa shkencëtarëve, edhe krimet si vjedhja dhe vrasja kanë origjinë gjenetike. Tani shtrohet pyetja: sikur shkencëtarët ta vërtetonin se edhe pedofilia dhe përdhunimi kanë baza gjenetike, a do t’i dekriminalizonte shoqëria Perëndimore ato dhe ta hiqnin parimin racional e “pëlqimit të të rriturve”?

Ligji Islamik nuk e mohon rolin e shoqërisë në formulimin e disa ligjeve të saja. Megjithatë, këto ligje janë dytësore apo tretësore dhe jo ligje primare. Ekziston një rol i kufizuar i demokracisë sipas parimeve islamike të konsultimit 35, që përmendet në Kuran:

“… dhe këshillohen me njëri-tjetrin për punët e tyre” 36

Për shembull, pjesëtarët e një komuniteti, sipas mendimit të shumicës, mund të vendosin një shenjë komunikacioni në një udhëkryq të ngarkuar, ku numri i aksidenteve është i shpeshtë, dhe, pas një kohe, ta heqin atë dhe ta bëjnë një nënkalim bazuar mbi të njëjtat parime.

Përkushtimi absolut i kulturës Perëndimore ndaj sekularizmit 37, ndonëse në kurriz të demokracisë, na tregon pse Perëndimorët fuqishëm e mbështesin diktaturën ushtarake në Turqi (më herët) dhe në Algjeri (dhe në vendet tjera të botës islame – sh.p). Gratë në Turqi nuk kanë të drejtë t’i vënë shamitë në asnjë institucion shtetëror, qoftë arsimor apo politik. Kur Merve Sefa Kavakci, anëtare e parlamentit, kohët e fundit e kundërshtoi këtë ligj duke u paraqitur në asamble me shami për ta dhënë betimin e saj parlamentar, ajo u largua me forcë dhe më pas iu anulua shtetësia turke. E drejta për të mbajtur shaminë publikisht, sipas ligjit demokratik të “lirisë fetare,” është e mbrojtur me ligj në Perëndim, por Perëndimi ende e toleron shtypjen e turqve kryesisht për shkak të përkushtimit (kthimit) të Turqisë në sekularizëm. Në anën tjetër, Perëndimit nuk i interesoi kur ushtria Algjeriane i pezulloi rezultatet e zgjedhjeve të lira për ta ndaluar FIS (Partinë Islamike) ta formonte qeverinë islamike përmes zgjedhjeve në të cilat pritej që kjo parti të fitonte. Megjithëse Perëndimi e thekson rëndësinë e demokracisë, prapëseprapë sekularizmi mbetet më i rëndësishëm.

Sa i përket kulturës kineze dhe asaj indiane, të dyja këto me nga një miliard njerëz, ato tashmë janë gjunjëzuar para kulturës Perëndimore. Kur Kina e përqafoi komunizmin nën udhëheqjen e Mao Tse Tung, ata në realitet e pranuan demokracinë sekulare. Komunizmi ishte vetëm një eksperiment ekonomik alternativ drejt kapitalizmit. Mendimi fundamental i komunizmit, siç mbrohej nga Marksi , Lenin etj., ishte në fakt ai i demokracisë sekulare. Rregullorja e proletariatit, masës punonjëse, të cilët e përbënin shumicën e popullsisë, supozohej të ishte demokratike. Partia komuniste sundonte në emër të proletariatit (shtresës punëtore), por jo në interes të tyre. Shtetet komuniste ishin bile edhe më anti-fetare se ato jokomuniste. Ateizmi u bë fe e re shtetërore, kurse fetë e tjera u eliminuan sistematikisht (siç qe rasti me Shqipërinë komuniste – sh.p).

India, në anën tjetër, me një pakicë muslimane me mbi 100 milionë, e zgjodhi demokracinë sekulare që t’i shmangej trazirave të brendshme. Sidoqoftë, Hinduismi është më shumë përzierje konfliktesh mes kulteve dhe feve dhe si i tillë nuk ka ndonjë sistem socio-ekonomik për të ofruar. Nacionalizmi indian, siç shprehet tani në BJP, është thjeshtë pohim i Hinduizmit si identitet kulturor. Mbështetësit e tij thonë se muslimanët ishin me origjinë indiane, prandaj ata duhet t’u kthehen rrënjëve të fesë së tyre.

Rrjedhimisht, vetëm Islami ka alternativë reale për civilizimin dhe kulturën Perëndimore. Megjithëse themelet e kulturës Islamike janë haptazi në konflikt të drejtpërdrejtë me ato të kulturës Perëndimore, nuk do të thotë se nuk kanë asgjë të përbashkët. Ende ka shumë të arritura të mira në shumë fusha nga Perëndimorët, prej të cilave mund të përfitojë kultura islame ashtu siç përfitoi kultura Perëndimore në të kaluarën nga të arriturat e muslimanëve.


Fundnota:

1. The New Encyclopaedia Britannica, vëll. 5, fq. 462.

2. Chambers Pocket Dictionary, W & R Chambers Ltd., Edingburgh, 1992, dhe The New Encyclopaedia Britannica, vëll. 12, fq. 555.

3. Shënim i Përkthyesit – John Barton, profesor i interpretimeve të shkrimeve të shenjta në Oriel College, Oxford University, thotë: “Ne, madje, nuk e dimë se në cilën stinë të vitit ishte lindur ai. E tërë ideja për ta kremtuar lindjen e tij në periudhën më të errët të vitit, me siguri, ka lidhje me traditat pagane dhe me solsticin dimëror”. Shih gjithashtu punimin me titull ‘Origjina Pagane e Krishtlindjes’ nga William F. Dankenbring dhe John D. Keyser.

4. Perandoria Romake Lindore i festonte Kërshëndellat me 6 janar.

5. The New Encyclopaedia Britannica, vëll. 3, fq. 283.

6. Ibid., fq. 284.

7. The New Encyclopaedia Britannica, vëll.18, fq.605.

8. Periudha e historisë evropiane prej rënies së Perandorisë Romake Perëndimore (viti 395 e.r.) deri te periudha e Renesancës (shekulli 14-të). Kjo e fundit u sajua nga disa humanistë italianë për t’u veçuar nga periudha mijë-vjeçare e errësirës dhe injorancës (Epoka e Errët), që i ndau ata nga bota antike greke dhe romake, mësimet dhe kulturën e të cilave ata u përpoqën ta ringjallnin. (The New Encyclopaedia Britannica, vëll.8, fq.107).

9. Shënim i Përkthyesit – Shih ‘Revolucioni i Arsyes’ nga Ian T. Taylor.

10. The Truth in the Light, fq.45-46.

11. The Truth in the Light, fq. 214.

12. God The Evidence, fq. 34

13. The truth in the Light, fq.213

14. God The Evidence, fq.35.

15. Broca’s Brain, fq. 301-311.

16. Shënim i Përkthyesit – Shih shkrimin ‘Diktatura e Sasisë’ dhe ‘Scientism and Skepticism: A Reply to Steven Pinker’ nga Sebastian Normandin.

17. God The Evidence, fq. 37.

18. What Darwin Really Said, fq. 54-56.

19. The Genesis Mystery, nga Jeffery Goodman (Times Books, 1983) cituar në “Clinging To A Myth”, fq. 9. 24 The Living Webster Encyclopedic Dictionary of the English Language, fq. 869.

20. Fjala humanizëm vjen nga fjala studia humanitatis (studimet e njerëzimit).

21. The New Encyclopeadia Britannica, vëll.10, fq. 594.

22. Ibid., vëll.20, fq. 569

23. The New Encyclopeadia Britannica, vëll. 18, fq. 27.

24. Colliers Encyclopedia, vëll.8, fq.76 dhe 80.

25. Kjo nënkupton se arsyeja aplikohet jo vetëm në të kuptuarit dhe zotërimin e natyrës, por edhe në të kuptuarit dhe në udhëheqjen e problemeve shoqërore.

26. Colliers Encyclodedia, vëll. 8, fq. 77.

27. Sahih El Buhari, nr.1296.

28. Kushetuta e Shteteve të Bashuara të Amerikës 1787, Neni 1, paragrafi 2 thotë: “[Përfaqësuesit dhe Taksat e drejtpërdrejta ndahen mes disa shteteve të cilat do të përfshihen brenda këtij unioni sipas numrit të tyre përkatës, numër ky i cili do të vendoset duke ia shtuar të gjithë personave të lirë për një afat disa vjeçar, përfshirë edhe ata që janë të lidhur me Shërbimin, duke i përjashtuar indianët që nuk paguajnë taksa, tri të pestat e të gjithë personave të tjerë.].” Burimi: U.S: Government Printing Office 1988-203-017/80002.

29. Colliers Encyclopedia, vëll. 8, fq. 77.

30. Shënim i Përkthyesit – Charles W. Socarides, profesor klinik i psikiatrisë në Albert Einstein College of Medicine/Montefiore Medical Center të New York-ut, në esenë e tij të vitit 1995 me titull ‘How America Went Gay’ thotë si vijon:

“Gay thanë se ata mund ta “rishpiknin natyrën njerëzore, t’i rizbulonin vetet e tyre.” Për ta bërë këtë, këtyre ri-shpikësve iu desh ta hiqnin një pengesë të madhe nga rruga e tyre. Jo, ata nuk shkuan pas klerikëve të vendit. Ata shënjestëruan anëtarët e priftërisë botërore, komunitetin psikiatrik, duke i neutralizuar ata me një ridefinim radikal të vetë homoseksualitetit. Më 1972 dhe 1973, ata goditën kreun e Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë dhe, nëpërmjet një serie manovrash politike, gënjeshtrash dhe yçkël pas yçkle, ata “shëruan” homoseksualitetin brenda natës – me dekret. Ata e bënë A.P.A. të deklaronte se seksi me gjininë e njëjtë “nuk ishte çrregullim,” por ishte thjesht “një gjendje” – sikurse ajo e mëngjarashit. Kjo kulmoi në një miratim të plotë të homoseksualitetit. Neve që nuk u pajtuam me ridefinimin politik shumë shpejt na u mbyllën gojët në takimet tona profesionale. Leksionet tona u anuluan brenda qarqeve akademike, kurse punimet tona u refuzuan nga revistat shkencore.” Vazhdon tutje Socarides:

“Tash e sa vite, homoseksualët ndërhyjnë dhe ndërpresin mbledhjet tona, heshtin njerëz që përpiqen të ofrojnë punimet e tyre shkencore dhe kërcënojnë mjekë si unë… Aktivistët homoseksualë kanë një irracionalitet të egër. Ata çdo marrëveshje shkencore e kthejnë në çështje politike – e që është e tëra çfarë ata vërtetë mund të bëjnë, ngase shkenca e vetme pas së cilës ata kapen është pseudoshkenca.” Homosexuality: A Freedom Too Far, fq. 153-154 (Adam Margrave Books, Phoenix, Arizona).

Në rrafshin kulturor, na tregon Socarides, homoseksualizmi filloi të promovohej nëpërmjet filmave, shtypit, shkollimit dhe mas mediave si mënyrë jetese legjitime:

“Një bord homoseksualësh për rishqyrtim i treguan Hollywood-it se si duhej trajtuar homoseksualizmin. Botuesit mainstream refuzonin libra që e kundërshtonin revolucionin homoseksual. Homoseksualët dhe lesbiket shtrin ndikimin e tyre mbi edukimin seksual në shkollat tona, kurse liberalët homoseksualë dhe lesbikë futën nën kontroll të gjerë komisionet e fakulteteve dhe kolegjeve tona shtetërore. Legjislatura e shtetit e shfuqizoi ligjin kundër marrëdhënieve seksuale anormale (sodomisë). Nëse media e shkruar i kushtonte ndonjë vëmendje kësaj, ajo prirej ta përqafonte revolucionin homoseksual, sepse shumë nga gazetarët mbi çështjet e homoseksualëve ishin vetë homoseksualë dhe avokat të hapur të lëvizjes. Ata gazetarë që nuk ishin homoseksualë ishin tepër të frikësuar nga mendësia grupore për ta shpërfaqur atë që po ndodhte brenda redaksive të tyre.” 

31. Shënim i Përkthyesit – Shih artikullin ‘Realiteti i termit “homofob”’ nga Dr. Bilal Philips.

32. Viteve të fundit, në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, një numër i madh i organizatave të njohura juridike, mjekësore, dhe fetare kanë diskutuar kujdesshëm rreth tërë kontrollit legal ndaj seksualizmit njerëzor. Ata unanimisht konkludonin se, përderisa duhet mbajtur ligjet të cilat e mbrojnë personin dhe ndjeshmërinë shoqërore, ligjet mbi moralin e pastër duhet hequr. Nuk duhet pasur kontroll ligjor, thoshin ata, në veçanti për atë se çfarë të rriturit bëjnë me marrëdhëniet e tyre seksuale private.” (The New Encyclopeadia Britannica, vëll. 27, fq. 247).

33. The New Encyclopaedia Britannica, vëll.3, fq. 339.

34. Surja El-Mu’minun (23):71.

35. Shënim i Përkthyesit – Për këtë temë, shih analizën e thuktë të Dr. Jaafar Sheikh Idris ‘Shoora and Democracy: A conceptual analysis’

36 Surja El-Shura (42):38.

37. Shënim i Përkthyesit – Më gjerësisht mbi këtë temë dhe të ngjashmet, shih punimin e Peter G. Danchin ‘Islam in the Secular Nomos of the European Court of Human Rights.

 

 

Advertisements