Ndërsa autoritet evropiane kanë vënë në shënjestër Selefizmin, kjo fjalë do analizuar

Gazeta The Economist, Erasmus, 24 nëntor, 2016-11-25

Çka do të thotë Selefizëm në të vërtetë? Në Evropën kontinentale, kjo fjalë tash po përdoret si një term përfshirës për interpretimin ekstrem dhe të dhunshëm të Islamit. Këtë javë, fjala vjen, autoritetet gjermane të shtetit të Hesse-s bastisën pesë prona, përfshirë dhe një xhami. Ky qe aksioni i fundit në kuadër të masave të dhunshme ndaj formave ultra-militante të Islamit në tërë Gjermaninë, që nisi javën që shkoi. “Propaganda ekstremiste është themeli i radikalizmit islamik dhe, në instancë të fundit, i dhunës,” tha ministri i brendshëm i Hesse-s Peter Beut, duke shpjeguar aksionet e fundit. “Ideologjia selefiste është një forcë që s’bën të nënvlerësohet,” shtoi ai.

Më 15 nëntor, autoritet federale gjermane ndaluan atë që ata përshkruan si organizatë Selefiste e njohur si “Feja e vërtetë” apo “Lexo!”, qëllimi kryesor i të cilës ka qenë shpërndarja e kopjeve të Kuranit. Ralf Jäger, ministër i brendshëm i shtetit Rhine-Westphalia e Veriut, dha këtë arsye për aksion: “Çdo i pesti Selefist që ka udhëtuar jashtë shtetit (të Wesfalisë) për në shtetin e ashtuquajtur Islamik, me qëllim që t’i bashkëngjitet një celule terroriste, më herët ka pasur kontakte me ‘Lexo!’”

Në Francë, po ashtu, fjala “Selefi” apo “Selefist” shpesh përdoret si një term universal për forma të Islamit që për çfarëdo politike qeveritare janë tepër ekstreme që të diskutohet me to. Manuel Valls, kryeministri socialist, ka alarmuar se Selefistët, ndonëse një pakicë mes muslimanëve francezë, mund të jenë duke fituar në luftë ideologjike në Francë, për shkak se zëri i tyre është më i madh dhe më efektshëm shpërndahet sesa cilido tjetër. François Fillon, politikan i qendrës së djathtë, i cili me gjasë do të marrë pjesë në garën presidenciale të vitit të radhës, është një mbështetës i madh i masave të ashpra ndaj Selefizmit dhe ndaj grupeve të lidhura me Vëllazërinë Muslimane.

Në kuptimin më të gjerë, të gjithë muslimanët janë Selefistë. Fjala në dukje përshkruan ata që emitojnë dhe respektojnë pejgamberin Muhamed (alejhi selam) dhe gjeneratat e hershme të muslimanëve, sidomos tri të parat. Dhe nuk gjen musliman që s’e bën këtë. Por, në praktikë fjala “Selefist” shpesh përdoret për të përshkruar një formë të përpiktë, themelore të Islamit, që u shfaq në gadishullin arabik në shekullin 19, bazuar në sugjerimet nga dy mendimtarë konservativë Ibn Tejmije (1263-1328) dhe Muhamed ibn Abdul-Wehab (1703-1792). Ndjekësit e kësaj vije shpesh thirren Wehabistë nga kritikuesit e tyre, por ata preferojnë t’i quajnë vetët e tyre Selefistë.

Madje dhe Selefizmi Saudian, pavarësisht paraqitjes, nuk është monolit, sipas H.A. Hellyer, një dijetari britanik që studio komunitetet muslimane gjithandej botës. Tendenca të ndryshme mund të vërehen edhe midis dijetarëve fetarë të Mbretërisë (Saudite), të cilët mbështesin monarkinë. Një tjetër fraksion, paksa më i butë, vë theksin më shumë në Ibn Tejmijen dhe nuk është tepër e sigurt se të gjithë të tjerët, në këtë apo në atë mënyrë, nuk janë ortodoksë (tradicionalë). Një tjetër fraksion nuk merr parasysh këta dy mendimtarë dhe thjesht prezanton veten si pjesë të rrjedhës kryesore të Islami Sunit, duke ndjekur njërën nga katër shkollat legale (atë Hanbelite) dhe duke mos insistuar në monopolin e saktësisë. E ardhmja e Mbretërisë mund të varet pjesërisht nga ajo se cila nga këto versione mbizotëron, thotë Mr. Hellyer, një zyrtar i Royal United Services Institute, një institut dijeje (think-tank) në Britani.

Edhe në Egjipt fjala “Selefi” përdoret sikur të kishte një kuptim të thjeshtë, por kjo është çorientuese sipas Mr. Hellyer, i cili përshkroi figurat kryesore politiko-fetare të vendit në një libër të ri “A Revolution Undone: Egypt’s Road Beyond Revolt.” Karshi të tjerëve, Selefistët egjiptianë përfaqësohen nga një parti politike, el-Nur, e cila u shfaq si një lojtarë i fuqishëm pas rebelimit të vitit 2011, dhe favorizon konservatorizmin ekstrem në çështjet e veshjes, rolit të gjinive dhe sjelljes personale. Kjo është në kontrast me një formë më taktike dhe më pragmatike të Islamit, të përfaqësuar nga Vëllazëria Muslimane, e cila u shfaq në Egjipt në pjesën e hershme të shekullit 20 dhe tash ushtron ndikimin nëpërmjet aleatëve ideologjikë në tërë botën, përfshirë dhe Evropën. Partia Nur fillimisht bëri aleancë me Vëllazërinë, por, kur qeveria e frymëzuar nga Vëllazëria u përmbysë në vitin 2013, ajo mbështeti regjimin e ri.

Këtu ka një tjetër burim konfuzioni: Në kuptimin e gjerë, Vëllazëria po ashtu është Selefiste në frymëzimin që merr; ata ndajnë idealin e kthimit te gjeneratat e para të muslimanëve, çka qe pjesë e të menduarit të Hasan el-Benasë, themeluesit të Vëllazërisë. Në nivelin e masave, dallimi mes mbështetësve të partisë Nur dhe të Vëllazërisë nuk është gjithmonë i madh, thotë Mr. Hellyer: Të dyja palët përbëhen nga njerëz që ndiejnë se jetët e tyre të rënda do të përmirësoheshin nga ndonjë formë qeverisjeje që ashiqare do të ishte muslimane-sunite. Dallimi i madh qëndron në taktikën politike të ndjekur nga këto lëvizje. Për shembull, Vëllazëria preferon marrëdhënie pragmatike me Iranin shi’it, kurse udhëheqësit e Nur konsiderojnë shi’itët të jenë buzë mosbesimit.

A duhet ta dinë tërë këtë politikanët e Francës dhe të Gjermanisë, të cilët përdorin fjalën Selefi/Selefist si të ishte sinonim për terrorist? Po, ata duhet t’i dinë këto gjëra, sepse siguria e rrugëve të Evropës është në pyetje. Në Britani, fjala vjen, ka xhami të Selefistëve imamët e të cilave janë konservatorë nga aspekti teologjik, por janë shumë larg terroristëve; po ashtu ka pasur terroristë që s’kanë pasur të bëjnë me Selefizmin. Është me rëndësi të kuptohet se një nga format e ndryshme të Selefizmit që përshkruhet, është edhe ajo që nuk është riorganizuar, e cili mund (ndonëse jo gjithmonë) të kalojë në terrorizëm. Etiketat mund të jenë një tregues i dobishëm nëpër paqartësinë e një gjëje të ndërlikuar, por në fund labirinti duhet të diskutohet me kujdes.

Advertisements