Neoliberalizmi1 po krijon vetmi

George Monbiot, gazeta The Guardian, 12 tetor 2016

A ka akuzë më të rëndë që mund t’i bësh një sistemi sesa ta konsiderosh shkaktar të një epidemie sëmundjesh mendore? Mortajat e shqetësimit, stresit, depresionit, fobisë sociale, çrregullimeve në të ngrënë, vetëdëmtimit dhe vetmisë tashmë kanë kapluar njerëzit në mbarë botën. Më e vona: shifrat katastrofike të shëndetit mendor të fëmijëve në Angli pasqyrojnë një krizë globale.

Ka dhe një mori arsyesh dytësore për këtë bela, por mua me duket se shkaku kryesor është gjithkund i njëjtë: qeniet njerëzore, gjitarët ultra-socialë, trutë e të cilëve janë të konstruktuar për t’iu përgjigjur njerëzve të tjerë, janë duke u katandisur. Ndryshimi ekonomik dhe teknologjik luan një rol të madh këtu, por po ashtu dhe ideologjia. Ndonëse mirëqenia jonë është e lidhur pazgjidhshëm për jetët e të tjerëve, kudo na thuhet se ne do të përparojmë me anë të interesit personal konkurrues dhe individualizmit ekstrem.

Në Britani, burrat që kanë kaluar tërë jetët e tyre brenda katërkëndëshave – në shkollë, në kolegj, në kafene, në parlament – na instruktojnë të qëndrojmë në këmbët tona. Konkurrimi në sistemin edukativ për çdo vit sa vjen e bëhet më brutal. Punësimi është bërë një kacafytje gati deri në vdekje me turmën e njerëzve të tjerë që janë në kërkim të vendeve të punës që sa vijnë e pakësohen. Mbikëqyrësit modernë të të varfërve i vejnë fajin individual rrethanave ekonomike. Garat e pafundme në televizion ushqejnë aspirata të pamundshme, ndërsa mundësitë reale tkurren.

Konsumerizmi2 mbush boshllëkun social. Por, larg nga të shëruarit e sëmundjes së izolimit, kjo intensifikon krahasimin social deri në pikën ku, pasi të kemi konsumuar gjithçka tjetër, nisim të biem pre e vetëve tona. Media sociale (Facebook, Twitter, etj.) na bashkon dhe na ndanë, duke na mundësuar kështu t’i përcaktojmë saktësisht pozitat tona sociale; t’i shohim të tjerët të kenë më shumë miq e pasues sesa ne.

Siç vërtetoi shkëlqyeshëm Rhiannon Lucy Cosslett, vajzat dhe gratë e reja ndryshojnë rregullisht fotot që i postojnë për t’u dukur më vitale dhe shtatholla. Disa telefona, nëpërmjet rregullimeve teknike të “bukurisë”, e bëjnë këtë në vend tëndin pa të pyetur; tash vetë ti mund të jesh frymëzim i vetvetes për shtat të hollë. Të urojmë mirëseardhje në distopinë3 Hobesiane4 – një luftë e çdonjërit kundra çdonjërit.

Nëse çarja sociale nuk trajtohet aq seriozisht sa gjymtyrët e thyera, kjo ndodh ngaqë nuk mundim ta shohim si të tillë. Por, neurologët mundin. Një seri dokumentesh5 interesante sugjerojnë se dhimbja sociale dhe dhimbja fizike procedohen në qarkun nervor të njëjtë. Kjo mund të shpjegojë përse, në shumë gjuhë, është vështirë të përshkruash ndikimin e lidhjeve sociale pa fjalët me të cilat shprehet dhimbja fizike dhe lëndimi. Si te njerëzit, si te gjitarët e tjerë socialë kontakti social zvogëlon dhimbjen fizike. Kjo është arsyeja përse ne përqafojmë fëmijët tanë, kur ata lëndojnë vetët e tyre; dashuria është një analgjetik i fortë. Opiumet largojnë edhe agoninë fizike, edhe ankthin e ndarjes. Ndoshta kjo shpjegon lidhjen mes izolimit shoqëror dhe varësisë nga droga.

Eksperimentet e përmbledhura në zhurnalin Physiology & Behaviour e muajit të fundit sugjerojnë se, kur ofrohet zgjedhja mes dhimbjes dhe izolimit, gjitarët socialë zgjedhin të parën. Majmunët Kapuçin, të lënë pa ushqim dhe kontakt mes tyre për 22 orë, u bashkëngjiten shoqëruesve (majmunëve të tjerë) para se të hanë. Fëmijët që përjetojnë neglizhencë emocionale, sipas disa studimeve, e pësojnë më keq mendërisht sesa fëmijët që pësojnë edhe nga neglizhenca emocionale, edhe nga keqtrajtimi fizik; sado e shëmtuar që duket, dhuna ngërthen vëmendje (të dikujt ndaj teje) dhe kontakt. Vetëdëmtimi shpesh përdoret si orvatje për të larguar ankthin, çka tregon se dhimbja fizike s’është e keqe sa dhimbja emocionale. Siç sistemi i burgosjes e di mjaft mirë tashmë, një nga format më të efektshme të torturës është mbyllja në vetmi.

Nuk është vështirë të shohësh cilat janë arsyet evolutive për dhimbjen sociale. Mbijetesa te gjitarët socialë fuqizohet shumë atëherë kur ata janë të lidhur ngushtë me pjesën tjetër të turmës. Janë kafshët e izoluara dhe të margjinalizuara ato, që rrezikohen të përzgjidhen nga grabitqarët apo të ngordhin urie. Mu siç dhimbja fizike na mbron nga lëndimi fizik, ashtu dhe dhimbja emocionale na mbron nga lëndimi social dhe na shtyn të rilidhemi. Por, për shumë njerëz kjo është bërë e pamundur.

Nuk është për t’u çuditur se izolimi social është i lidhur ngushtë me depresionin, vetëvrasjen, pagjumësinë, frikën, dhe ndjenjën e të qenët i kërcënuar. Është më e çuditshme kur zbulon shtrirjen e sëmundjeve fizike që shkakton izolimi. Çmenduria, shtypja e lartë e gjakut, sëmundjet e zemrës, rezistenca e ulët ndaj viruseve, madje dhe aksidentet janë më të zakonshme te njerëzit e vetmuar. Ndikimi i vetmisë në shëndetin fizik krahasohet me pirjen e 15 cigareve në ditë, çka rrit rrezikun për vdekje të hershme për 26%. Kjo vjen pjesërisht për shkakun se vetmia rrit prodhimin e kortisolit, hormonit të stresit, i cili dobëson sistemin e imunitetit.

Studimet e bëra në kafshë dhe në njerëz tregojnë një arsye për të ngrënët që lehtëson dhimbjen; izolimi ul impulsin e kontrollit, gjë që çon në obezitet (trashësi). Meqë ata që janë në fund të shkallës socio-ekonomike kanë gjasat më të mëdha ta pësojnë nga vetmia, a mund të ofrojë kjo një shpjegim për lidhjen e fortë mes pozitës së ulët ekonomike dhe obezitetit?

Çdokush mund të shohë se diçka shumë më e rëndësishme sesa çështjet për të cilat ne shqetësohemi na ka dal keq. Atëherë, përse ne zhytemi në furinë e vetëdëmtimit dhe përmbysjes sociale, nëse krejt çka kjo prodhon është dhimbja e padurueshme? A nuk duhet që kjo pyetje t’i djegë buzët e secilit në jetën publike?

Ka disa shoqata bamirëse të shkëlqyeshme, që po bëjnë aq sa po mundin për ta kundërshtuar këtë baticë, me disa nga të cilat unë do të punoj në kuadër të projektit tim të Vetmisë 6. Megjithatë, për çdo nevojtar që këta arrijnë shumë të tjerë të tillë mbesin mbrapa.

Kjo nuk kërkon një reagim politik. Kjo kërkon diçka shumë më të madhe – një rivlerësim të një botëkuptimi të tërë. Nga të gjitha fantazitë në të cilat njerëzit zhyten, ideja se ne mundim të vetëm është më absurdja dhe ndoshta më e rrezikshmja. O qëndrojmë bashkë, o shembemi.


Fundnota: 

1. Një teori moderne politiko-ekonomike që favorizon tregtinë e lirë, privatizimin, ndërhyrjen minimale të qeverisë në biznes, shpenzime të reduktuara publike në shërbimet sociale, etj.

2. Preokupimi i shoqërisë me arritjen e të mirave materiale.

3. Një vend a shtet i imagjinuar, ku gjithçka është e pakëndshme apo e keqe, zakonisht totalitarizëm dhe në një ambient të degraduar.

4 Materialist e filozof politik anglez, i cili mbronte sovranitetin absolut si llojin e vetëm të qeverisjes që do të mund të zgjidhte problemet e shkaktuara nga egoizmi njerëzor (1588- 1679).

5 http://onlinelibrary.wiley.com/doi/10.1002/ejsp.837/abstract

6. https://www.theguardian.com/music/2016/oct/03/loneliness-george-monbiot-ewan- mclennan-songs-tour

Advertisements