Rreth edukatës seksuale

Fragment i shkëputur nga libri “Persecution: How Liberals are Waging War Against Christianity”, kapitulli i katërt, Secularism In, part 2, fq. 61-64, me autor David Limbaugh, Regnery Publishing, Washington D.C., 2003 [version elektronik].

Duke marrë parasysh të gjitha problemet që po i shoqërojnë aktivitet seksuale të tinejxherëve, dikush mund të mendojë se sistemi ynë i arsimit do të gabonte, nëse do ta dekurajonte seksin e shthurur. Sa i përket shtatzënive të nxënëseve dhe përhapjes së sëmundjeve seksualisht të transmetuara (STD), një studim i fundit i Heritage Foundation nxjerr në pah se tinejxherët që janë seksualisht aktiv, janë shumë më të prirë ndaj depresionit dhe kanë më shumë gjasa për të kryer vetëvrasje sesa ata të cilët abstenojnë nga marrëdhëniet seksuale. Mirëpo, edukata seksuale është bërë peng i një agjende tjetër. Kjo është vetëm një vegël që po përdoret nga inxhinierët social për ta ri-trajtësuar shoqërinë amerikane nëpërmjet edukimit seksual. Edukimi i sotëm seksual dallon rrënjësisht prej atij që ofrohej në shkollat publike një gjeneratë më parë. Sot, nxënësit shpeshherë u ekspozohen prezantimeve mbi homoseksualizmin1 dhe mbi të ashtuquajturat stile alternative të jetesës, nën supozimin se përjashtimi i temave të tilla do të ishte imponim i vlerave religjioze apo sektare – sikur se futja e temave të tilla nuk na qenka imponim!

Përderisa qëllimi i shtirur i këtyre kurseve është të parandalojë shtatzëninë e nxënëseve dhe sëmundjet seksualisht të transmetuara, ekspozimi i nxënësve ndaj “stileve alternative të jetesës”, së bashku me promovimin e “seksit të sigurt” nëpërmjet përdorimit të kondomëve, mund t’i promovojë në vend se t’i dekurajojë pasojat e tilla negative. Në fakt, përderisa edukata seksuale na reklamohet në mënyrë energjike si frenuese e marrëdhënieve të shthurura seksuale, të përhapura me të madhe në mesin e tinejxherëve, shumë njerëz besojnë se ajo e ka bërë të kundërtën. Tinejxherët tani janë shumë më të ekspozuar ndaj seksit dhe dinë më shumë rreth tij se kurrë më parë, e, megjithëkëtë, eksperimentimi seksual vetëm sa është shtuar, në vend se të vithisej. Kjo ka lënë pasoja shkatërruese. Studimet tregojnë se edukata e gjithanshme seksuale jo vetëm që çon në eksperimentime seksuale, por shpesh edhe fsheh rrezikun e “seksit të mbrojtur” për sëmundjet seksualisht të transmetuara dhe shtatzënitë e padëshiruara.

Grupe të caktuara si Planned Parenthood dhe SIECUS (the Sexual Information and Education Council of the United States) kanë lobuar ethshëm në Kongres për ta pranuar dogmën se trajnimi mbi “seksin e sigurt” dhe përdorimi i kondomëve jo vetëm që janë të mirë për fëmijët, por edhe përkrahen nga shumica e prindërve. Anketimet e fundit, megjithatë, flasin të kundërtën: prindërit nuk i kapërdijnë rrenat se abstenimi nga marrëdhëniet seksuale është jorealist e as atë se “edukimi i gjithanshëm seksual” është zgjidhje më e mirë. Dr. Janice Crouse, duke i përshkruar të dhënat e reja, thotë se anketimet e mëparshme prej këtyre lobeve ishin të bazuara në “mashtrime dhe interpretime të pasinqerta.”

Shumë prindër ndihen të indinjuar thellësisht, kur u jepen shembuj konkret nga materialet e përdorura në këto kurse mbi edukatën e krekosur seksuale, siç janë ato nga udhëzuesi i edukatës seksuale i hartuar nga SIECUS dhe të tjerët. Këto udhëzime janë si vijon:

  • Fëmijëve të moshave 5 – 8 vjeç t’u mësohet se prekja dhe fërkimi i pjesëve të trupit të bën të ndihesh mirë;2
  • Atyre të moshave 9 – 12 vjeç t’u mësohet se homoseksualizmi është po aq i këndshëm sa edhe heteroseksualizmi;
  • Nxënësve të moshave 15 – 18 vjeç t’u mësohet se përdorimi i fotove erotike, filmave, apo literaturës erotike 3 ua zhvillon atyre fantazitë seksuale.

Dr. Crouse, gjithashtu, sjellë rezultatet e anketimeve të fundit të Zogby, duke konfirmuar se prindërit “e miratojnë” ose “e miratojnë fuqishëm” edukatën mbi abstinencën (me një margjinë 4.6 me 1 në favor të miratimit të fuqishëm), dhe “e refuzojnë” ose “e refuzojnë fuqishëm” edukatën e gjithanshme seksuale (me margjinë 2.4 me 1 në favor të refuzimit të fuqishëm). Pavarësisht kësaj, lobi homoseksual vazhdon fushatën e tij kundër edukatës mbi abstinencën.

Zhvleftësimi i abstinencës

Në vitin 1997, guvernatori i Louisiana, Mike Foster filloi Governer’s Program on Abstinence (Programin e Guvernatorit mbi Abstinencën) për të cilin autorizoi shpenzimin e 1.6 milion dollarëve amerikan, fonde federale të ndara në baza vjetore për pesë vite për programin e edukimit vetëm mbi abstinencën seksuale, që synonte uljen e numrit të shtatzënive të padëshiruara te tinejxheret e atij shteti. Paratë u hodhën në dispozicion nga qeveria federale nëpërmjet 1996 Welfare Reform Act.

ACLU e Louisiana-s luajti mendsh fare, duke akuzuar se programet mbi abstinencën janë me orientim të krishterë dhe se shpenzimi i fondeve federale për këtë program është kundërligjor. Joe Cook, drejtori ekzekutiv i ACLU-së, thoshte: “Ne dëshirojmë që ata të marrin hapa të duhur për t’u siguruar se dollarët e taksuar të mos përdoren për predikime religjioze.” Pas ngritjes së aktpadisë nga ACLU, u arrit një marrëveshje në të cilën Governer’s Program on Abstinence (Programi i Guvernatorit mbi Abstinencën) u pajtua të garantonte se fondet federale s’do të përdoreshin për promovim të religjionit.

Po, mund të ketë ndonjë rast të arsyeshëm, ku mjetet federale s’duhet përdorur për promovim të religjionit. Ama vetëm pse të krishterët e mbështesin mesazhin e abstinencës s’do të thotë që mesazhi është religjioz! Veç kësaj, duket se edhe shtetet e tjera shfaqin mëri ndaj mesazhit të abstinencës, pavarësisht se a mbështet ai me mjete federale apo jo. Pikëpamjet sekulariste s’i tolerojnë aq kollaj temat e abstinencës, siç demonstron edhe incidenti i fundit në të cilin ishte përfshirë New Jersey Education Association (NJEA).

New Jersey, gjithashtu, ka pasur probleme me sjelljet seksuale të tinejxherëve. Këto probleme ishin aq të rënda, saqë e detyruan legjislaturën e New Jersey të miratonte një ligj i cili e bënte të obligueshëm theksimin e abstinencës gjatë orëve të edukatës seksuale në shkollat publike. NJEA i kishte ftuar tre ekspertë të aktiviteteve seksuale të tinejxherëve për të mbajtur fjalim në kongresin e tyre vjetor, mirëpo i tërhoqi ftesat posa e zbuloi se këta ekspertë promovonin abstinencën. New Jersey Coalition for Abstinence Education (NJCAE), i cili është pjesë e New Jersey Family Policy Counsel, ishte caktuar ta prezantonte në kongres një punim seminarik për mësuesit, siç ishin edhe doktorët e New Jersey-it, Joanna Mohn, M.D., dhe James Thompson, M.D.

Drejtoresha e NJCAE, Bernadette Vissani, shfaqte shqetësimin e saj në lidhje me censurimin e abstinencës nga NJEA. Zëdhënësja e NJEA-s, Karen Joseph, thoshte se ky union preferonte edukatën e gjithanshme seksuale dhe ankohej se NJCAE e përdorte vetëm qasjen e abstinencës.

“Qasja e abstinencës është jorealiste,” thotë Joseph. “Është njësoj sikur të thuash, ‘Nëse e ndalojmë vozitjen, do t’i eliminojmë të gjitha aksidentet rrugore’: përderisa kjo është e vërtetë, ajo është jorealiste. Ne duhet t’ua mësojmë njerëzve vozitjen e sigurt dhe t’i pajisim ata me mjete të cilat do ta mundësonin një gjë të tillë. E njëjta vlen këtu.”

Njëri duhet ta pyes veten për këta edukatorë, të cilët i mësojnë të tjerët se seksi është sikurse vozitja, pra diçka tërësisht mekanike, gjë që bie ndesh me konstatimet e doktorëve të cilët thonë se aty ka më shumë se kaq. A s’është e përciptë nga ana e edukatorëve të supozuar t’i injorojnë ndjenjat njerëzore, e lëre më mësimet e thella morale, të cilat i ka promovuar pothuajse çdo religjion i madh?

Analogjia e Joseph me vozitjen, gjithashtu, është e gabuar, sepse këto programe mbi edukatën e “gjithanshme” seksuale nuk i alarmojnë – nëse i alarmojnë fare – si duhet fëmijët ndaj shumë dëmeve tjera të mundshme, që vijnë si rezultat i marrëdhënieve seksuale të tinejxherëve, të cilat lënë pasoja edhe atëherë kur përdoren mjetet kontraceptive, siç ka vënë në pah rishtazi pediatrja Dr. Meg Meeker në librin e saj mahnitës Epidemic. Dr. Meeker tregon se siguria e supozuar e mjeteve kontraceptive ka shkaktuar epidemi të sëmundjeve seksualisht të transmetuara te tinejxherët, të cilëve asnjëherë nuk u është thënë se kontraceptivët nuk i mbrojnë ata prej shumë dëmeve të mëdha shëndetësore, të cilat mund të shndërrohen në trashëgimi jetësore të aktiviteteve të tyre seksuale.

Mësimet e vozitjes, siç e dimë, përqendrohen më së shumti në çështjet e sigurisë në komunikacion. Mirëpo, është tejet e dyshimtë se edukata e gjithanshme seksuale thekson mjaftueshëm se disa hulumtime të besueshme tregojnë se kondomët kanë 15% të dështimeve në parandalimin e shtatzënisë 4 . Në fakt, rritja e përdorimit të kondomëve nga tinejxherët është shoqëruar me rritjen e përqindjes së lindjeve jashtëmartesore 5 . Kondomët besohet se kanë gjithashtu 15% të dështimeve në mbrojtje nga transmetimi i HIV. Veç kësaj, edukata e gjithanshme seksuale mbase nuk nxjerr në shesh atë se HPV (Human Papillomavirus), i cili shpeshherë ngjitet si rezultat i marrëdhënieve seksuale të tinejxherëve, është shkaktari më i madh i kancerit cervikal, i cili vret përafërsisht 5000 gra amerikane çdo vit. Dhe s’ka prova shkencore që tregojnë se prezervativët të mbrojnë kundër këtij virusi.

Po ashtu, është çorientuese të mendohet se mësimet e NJCAE bazohen vetëm mbi “abstinencë”. Sipas Vissani, qasja e tyre bazohet mbi abstinencë, por pa i fshehur edhe informatat rreth kontraceptivëve. NJCAE jep informata shkencore mbi rreziqet e pranishme shëndetësore që lidhen me seksin e tinejxherëve dhe tenton ta korrigjojë mitin e rrezikshëm rreth seksit “të sigurt”. Ky koalicion thekson se aktiviteti seksual i tinejxherëve vetvetiu është një sjellje shumë e rrezikshme dhe përpiqet ta reduktojë atë.

Skandali i qasjes së edukatës së gjithanshme seksuale është se ajo i vë fëmijët në rrezik të shtatzënisë dhe sëmundjeve, duke zhvleftësuar rolin e abstinencës dhe duke promovuar përdorimin e kondomëve, pa i informuar fëmijët për rreziqet e vërteta shëndetësore. Si mund të argumentohet se programet e tilla nuk inkurajojnë sjellje të shthurura, kur ato predikojnë me eufemizëm seksin e “sigurt”, i cili te fëmijët krijon ndjenjën e rrejshme të sigurisë?

Sipas një studimi katër vjeçar, i raportuar në Journal of Adolescent and Family Health në botimin e Prillit, 2003, arsyeja kryesore për rënien e përqindjes së lindjeve dhe shtatzënive të tinejxhereve ishte abstinenca, jo përdorimi i prezervativëve. Raporti konkludon se abstinenca ishte shkaktare e qindpërqind e rënies së lindjeve dhe e rënies 67 % të shtatzënive te tinejxheret beqare. Ky studim hedh poshtë konstatimet e Alan Guttmacher Institute, i cili është cituar shpeshherë viteve të fundit, se 75 % e rënies së shtatzënive i atribuohet përdorimit të mjeteve kontraceptive, ndërsa 25 % abstinencës. Hulumtimi – dhjetë punime të ndara shkencore – sugjeron se edukimi i bazuar në abstinencë ka qenë tejet efikas (shumë më efikas se programet mbi “seksin e sigurt” dhe shpërndarjen e kondomëve) në uljen e përqindjes së aktiviteteve seksuale, sëmundjeve seksualisht të transmetuara, aborteve të tinejxhereve, dhe numrit të fëmijëve të lindur nga familjet një- prindërore 6.

Megjithëkëtë, shumica e programeve konvencionale për “seks të sigurt” vënë pak apo nuk vënë fare theks mbi inkurajimin e njerëzve që të abstenojnë nga aktivitetet e hershme seksuale. Duket sikur frika e sistemit të arsimit ndaj vlerave fetare po i tejkalon të vërtetat statistikore dhe mjekësore, duke shkuar deri aty sa ta vërë aktivisht në rrezik shëndetin e tinejxherëve. Krishterimi dhe religjionet tjera të mëdha ua mësojnë njerëzve virtytet e dëlirësisë, mirëpo kjo s’bënë tash të merret si bazë për t’ua mohuar studentëve informatat që lidhen me shpëtimin potencial të jetëve të tyre. A nuk po bëka më t’i mësojmë fëmijët të mos vjedhin apo të mos vrasin vetëm pse ndalimet e tilla po u gjendkan në Dhjetë Urdhrat?!

Edhe pse unioni i arsimtarëve të New Jersey nuk pajtohet me pohimet e edukatës seksuale të bazuar në abstinencë, a s’do të duhej të kishte së paku gatishmëri për t’i ekspozuar mësuesit e tyre ndaj opinioneve legjitime të të dyja palëve në emër të – në mos asgjë tjetër – diversitetit? A mos vallë ideologjia e tyre i detyron ata t’ia mbyllin gojën palës tjetër – asaj që mbështetet në dëshmi empirike? Për fat të keq, ky është edhe një shembull tjetër i të qenët jo-tolerant dhe mendjeshkurtër ndaj çdo gjëje që sado pak lidhet me religjionin pikërisht nga ata njerëz të cilët promovojnë “diversitet” dhe “tolerancë”. Në këso rastesh, dogmatizmi i tyre po sjell pasoja vdekjeprurëse. Pavarësisht kësaj, propaganda e tyre vazhdon avazin e njëjtë.

Avokatët e Advocates for Youth (AFY), një organizatë e cila promovon praktikat “homoseksuale, biseksuale dhe transgjinore” për tinejxherët dhe fëmijët, u takuan në një konferencë në Dhjetor për ta lansuar një fushatë kundër mbështetjes së abstinencës me fonde federale. Gjatë konferencës, njëri prej folësve, Pat Schiller, një përkrahës i përhershëm i edukimit seksual, tha: “Seksualiteti është një kënaqësi, qoftë kur je dy, gjashtë, apo gjashtëmbëdhjetë vjeç.” Wayne Pawlowski, drejtor i trajnimit në Planned Parenthood of America, shtoi: “Djemtë duhet inkurajuar t’i përdorin kondomët dhe të masturbojnë në shtëpi, në mënyrë që t’i zhvillojnë aftësitë e tyre për marrëdhënie seksuale në të ardhmen.” Pawlowski thuhet gjithashtu se propagandon që shkollat t’u mësojnë nxënësve aftësitë e masturbimit gjatë orëve të edukatës seksuale.

Përktheu: Visar Zeka


Fundnota:

1. Shënim i Përkthyesit – Benjamin Levin, ish zëvendës ministër i arsimit të Kanadasë, në vitin 2013 u akuzua për aranzhime të keqtrajtimeve seksuale ndaj fëmijëve, bërje dhe shpërndarje të filmave pornografik me fëmijë, dhe posedim të fotografive të fëmijëve të keqtrajtuar seksualisht. Gjersa Levin ishte në postin e zv.ministrit të arsimit, në kuadër të orëve mësimore mbi seksin:

  • Nxënësve dhe nxënësve të klasës së parë (të moshës gjashtëvjeçare) u mësohej në detaje anatomia dhe fjalori seksual.
  • Nxënësve të moshës tetëvjeçare u mësohej homoseksualizmi, jo vetëm si dukuri, por si stil i legjitimuar seksual.
  • Nxënësve të klasës së gjashtë u mësohej masturbimi, kurse, gjatë diskutimit mbi abstinencën seksuale, atyre të klasës së shtatë seksi anal kundrejt marrëdhënieve vagjinale.

Kurikula e re është e qartë në këtë pikë”, shkruante kolumnisti i Toronto Sun, Ezra Levant: “Një gamë e gjerë preferencash seksuale do t’u mësohet nxënësve në një mënyrë inkurajuese, dhe çdo rezistencë – qoftë religjioze, qoftë kulturore, qoftë apo ajo që vjen nga dobësia fëmijërore karshi temave të tilla të të rriturve – duhet reformuar dhe korrigjuar nga mësuesit.” Më gjerësisht lexoni në linkun vijues (në gjuhën angleze): http://www.torontosun.com/2013/07/12/innocence-violated dhe http://www.ezralevant.com/sexed_expert_charged_with_sex/ dhe http://www.thestar.com/news/crime/2013/07/10/benjamin_levin_charged_with_2_mor e_child_porn_offences.html

2. Shënim i Përkthyesit – Benjamin Levin, ish zëvendës ministër i arsimit të Kanadasë, në vitin 2013 u akuzua për aranzhime të keqtrajtimeve seksuale ndaj fëmijëve, bërje dhe shpërndarje të filmave pornografik me fëmijë, dhe posedim të fotografive të fëmijëve të keqtrajtuar seksualisht. Gjersa Levin ishte në postin e zv.ministrit të arsimit, në kuadër të orëve mësimore mbi seksin:

  • Nxënësve dhe nxënësve të klasës së parë (të moshës gjashtëvjeçare) u mësohej në detaje anatomia dhe fjalori seksual.
  • Nxënësve të moshës tetëvjeçare u mësohej homoseksualizmi, jo vetëm si dukuri, por si stil i legjitimuar seksual.
  • Nxënësve të klasës së gjashtë u mësohej masturbimi, kurse, gjatë diskutimit mbi abstinencën seksuale, atyre të klasës së shtatë seksi anal kundrejt marrëdhënieve vagjinale

Kurikula e re është e qartë në këtë pikë”, shkruante kolumnisti i Toronto Sun, Ezra Levant: “Një gamë e gjerë preferencash seksuale do t’u mësohet nxënësve në një mënyrë inkurajuese, dhe çdo rezistencë – qoftë religjioze, qoftë kulturore, qoftë apo ajo që vjen nga dobësia fëmijërore karshi temave të tilla të të rriturve – duhet reformuar dhe korrigjuar nga mësuesit.” Më gjerësisht lexoni në linkun vijues (në gjuhën angleze): http://www.torontosun.com/2013/07/12/innocence-violated dhe http://www.ezralevant.com/sexed_expert_charged_with_sex/ dhe http://www.thestar.com/news/crime/2013/07/10/benjamin_levin_charged_with_2_mor e_child_porn_offences.html

3. Shënim i përkthyesit – David Limbaugh në po të njëjtin libër, fq. 85, thotë: “Në shumë universitete, pornografia është ngritur në një disiplinë fisnike brenda klasës. Madje, universitetet e ashtuquajtura të krishtere, si Wesleyan dhe Middletown në Konektikat, kanë degjeneruar në këtë praktikë. Wesleyan ofroi një kurs të quajtur “Pornografia: Shkrime të Prostitutave”. Disa vite më herët, profesoresha Hope Weissman u tha nxënësve të bënin një punim pornografik si detyrë përfundimtare të lëndës mësimore. “Unë nuk vë kufizime në këtë”, shpjegoi Weissman. “Kjo u mendua të jetë: Thjesht bëj një punim tëndin pornografik”. Një nxënës nxori një video duke e lëvizur objektivin e kamerës në sytë e një mashkulli ndërsa ai po masturbonte. Një nxënëse ofroi fotot e vetes së saj duke bërë seks oral me të dashurin. Kur dikush më në fund bëri vërejte, zyrtarët e shkollës iniciuan një rishikim të lëndës mësimore për të vlerësuar “sa është kursi i përshtatshëm me objektivat e programit Letrat e Kolegjit dhe ato të studimeve të femrave”. Rishikimi shkaktoi një indinjatë nga ana e fakultetit dhe studentëve, të cilët u zemëruan nga kjo fyerje e ashtuquajtur liri akademike. Veprimi i administratës “përbën sulmin më të madh ndaj lirisë akademike në së paku dyzet vjetët e fundit”, kritikoi një nxënës redaktor. Por, pornografia në klasë nuk është e kufizuar vetëm në Wesleyan. Edhe disa universitete sekulare të vendit ofrojnë kurse të tilla. Constance Penley, kryetare e Departamentit për Studime të Filmit pranë universitetit Santa Barbara të Kalifornisë, e cila futi pornografinë në programin mësimor aty në vitin 1993, e quajti profesoreshën Weissman si “një femër e guximshme … Tash filmi pornografik mund të shihet si krejtësisht normal dhe si një pjesë e domosdoshme e një programi mësimor për studimin e filmave””

4. Në fakt, një studim vë në dukje dështimin e përqindjes së shtatzënisë për çiftet e rritura gjatë viteve të para të përdorimit, dhe 36.3% dhe 44.5% për një pakicë femrash të reja dhe të pamartuara. Dr. Joanna K. Mohn, “Senati i New Jersey Duhet Patjetër ta Kaloj Projektligjin mbi Theksimin e Abstinencës (S-868) për t’i Mbrojtur në Mënyrën më të Mirë Tinejxherët,” New Jersey Family Policy Council, 2002.

5 “Studimi i ri tregon përqindje të lartë të lindjeve jo-martesore te tinejxheret me përvojë seksuale përkundër rritjes së përdorimit të kondomëve. Raporti konstaton se reduktimi i përgjithshëm i shtatzënive të tinejxhereve është si shkak i abstinencës e jo i rritjes së përdorimit të kontraceptivëve,” The Consortium of State Physicians Resource Councils, 10 Shkurt, 1999.

6. “Studimi i ri tregon përqindje të lartë të lindjeve jo-martesore tek tinejxheret me përvoja seksuale përkundër rritjes së përdorimit të kondomëve. Raporti konstaton se reduktimi i përgjithshëm i shtatzënive të tinejxhereve është si shkak i abstinencës, e jo i rritjes së përdorimit të kontraceptivëve,” The Consortium of State Physicians Resource Councils, 10 Shkurt, 1999; Robert E. Rector, “The Effectiveness of Abstinence Education Programs in Reducing Sexual Activity Among Youth, Heritage Foundation Research Backgrounder #1533, 8 Prill, 2002.